Shqiptarët në Thun festojnë 10 vjetorin e Pavarësisë
Të shtunën mbrëma, më 17 shkurt 2018 në Thun të Bernës janë tubuar
shqiptare e shqiptarë, të rinj dhe të reja, burra dhe gra me fëmijët,
nipërit dhe mbesat e tyre për të festuar vitin e 10 të Pavarësisë së
Kosovës. Ne manifestim morën pjesë edhe mysafir zviceran. Me vallëzime,
këngë dhe fjalime u përkujtua kjo ditë e madhe e historisë më të re e
popullit shqiptar.
Nga Xhemshir Zenuni
Dy data në vit, qytetarët shqiptar të Thunit me rrethinë i kanë të
shënuara në kalendarët e tyre: në shkurt festohet Shpallja e Pavarësisë
së Kosovës, kurse në nëntor festohet Dita e Flamurit. Këtë vit, festa e
shpalljes së pavarësisë së Kosovës ishte e veçantë, sepse festohej
përvjetori i dhjetë. Anëtarët e Shoqatës Atdheu edhe kësaj radhe kishin
përgatitur diçka të veçantë: recitim nga nxënësit e mësimit plotësues në
gjuhën shqipe të shkollës së Heimbergut, këngë me sharki dhe çifteli,
valle nga veteranet e Grupit të Vallëzimit dhe një referat, të
përgatitur nga mësuesja Artila Berisha.
Me Himnin e Kosovës dhe dy valle nga grupi i valltareve u hap kjo festë
tashmë tradicionale. Të pranishmëve në fillim ju drejtuan veterani dhe
nënkryetari i shoqatës Ramë Tetaj dhe Hilmi Gashi, drejtor i Sindikatës
Unia. Në fjalimin e tij Hilmi Gashi u përkujtoi të pranishmëve se Kosova
këto ditë ishte dhe është temë në mediat zvicerane. “Kësaj radhe për të
mirë dhe jo, si në vitin 1992 kur ne u përballëm me paragjykime të mëdha
dhe me një diskriminim”, u shpreh Gashi në fillim. Sipas tij, shqiptarët
sot janë pjesë vitale dhe kontribuuese e kësaj shoqërie dhe të njëjtën
kohë edhe ura më e mirë lidhëse mes Kosovës dhe Zvicrës. “Për ditën, të
cilën e festojmë sot kanë kontribuar të gjitha gjeneratat. Kjo më e reja
ka shfrytëzuar mirë shanset e ofruara nga prindërit e tyre dhe sistemi
demokratik zviceran, për t’u shkolluar dhe kështu edhe depërtuar në
shumë lami, të cilat për gjeneratën e parë kanë qenë të mbyllura”.
„Mërgata ka mbështetur Kosovën në çdo çast dhe ka dëshmuar se ka
vetëdije të lartë kur lypet angazhimi dhe marrja e përgjegjësisë në të
mirë të vendit“.
Veterani dhe nënkryetari i shoqatës Atdheu, Ramë Tetaj në uratën e tij
për pavarësinë apeloi edhe njëherë te mërgata e Thunit me rrethinë të
mbështetë shoqatën dhe aktivitetet e saja: “Ne mundohemi të bëjmë shumë
dhe organizimet tona janë shembullore, por duhet punë dhe angazhim” u
shpreh z. Tetaj. Duke u falënderuar bashkëveprimtarëve në shoqatë ai
apeloi te të pranishmit t’i bashkëngjiten shoqatës dhe të japin
kontributin e tyre. “Sa më shumë që jemi, aq më shumë dhe më mirë do të
mund të bëjmë”, përfundoi Ramë Tetaj fjalën e tij përshëndetëse.
Nxënësit e Shkollës Shqipe nga Heimbergu recituan disa nga vargjet më të
bukura të poeteve tanë të shquar, ndërsa fëmijët e grupit të valleve
Atdheu kërcyen valle tradicionale të krahinave të ndryshme. Drejtori i
shkollës, Stefan Bähler, i cili ishte prezent e ndau gëzimin me të
gjithë të pranishmit, jo vetëm gjatë recitimeve por edhe duke vallëzuar
me të pranishmit.
Festa vazhdoj deri në orët e vona të mbrëmjes me këngë dhe valle, nën
tingujt e bukur të muzikës shqiptare.
Autori: Xhemshir Zenuni, është kryetar i shoqatës Atdheu
Referatin kryesor, të paraqitur nga Shkëndije Neziri, e cila në mënyrë
profesionale edhe ka udhëhequr programin e përgatitur nga shoqata
Atdheu, mes tjerash thuhet:
“Të dashur vëllezër dhe motra.
Jemi mbledhur këtu për të festuar dhjetëvjetorin e Kosovës tonë
dhjetëvjetorin e shpërblimit të sakrificave tona shekullore, të gjakut
të fëmijëve, prindërve, motrave dhe vëllezërve tanë, sakrificë e cila do
ti shërbejë ardhmërisë së brezave të rinj, të fëmijëve tanë. Republika e
Kosovës më 17 shkurt feston 10- vjetorin e pavarësisë, duke mbyllur
kështu etapën e vendosjes së themeleve të shtetit, e duke nisur një
etapë të re të madhe – atë të zhvillimit ekonomik dhe prosperimit drejt
integrimit në institucionet euroatlantike.
Tashmë Kosova ka ndryshuar ka shtetin e saj ka organet e saj, ka
ekonominë e saj. Një numër korporatash të huaja operojnë në vend.
Pavarësisht se është një nga vendet më të vogla të Evropës, vendi jonë
ka burime të rëndësishme minerale, duke përfshirë nikelin, linjitin,
plumbin, kromin, aluminin dhe magnezin. Pjesa më e madhe e pasurisë së
qymyrit në Evropë qëndron në Kosovë. Ndaj të gjithë bashkë motra e
vëllezër ta bëjmë Kosovën tonë ta begatojmë atë.
Këtë 10 vjetor të pavarësisë në dallim nga vitet tjera festimet janë më
madhështore se asnjëherë tjetër. Ato karakterizohen me festime në
ambientet familjare me muzikë dhe valle tradicionale. Kurse, në
kryeqytetin do të mbahet edhe një koncert madhështor ku performon
superylli botëror, Rita Ora. Pjesë e këtyre festimeve jemi edhe ne.
Por, përveç gëzimit ne kemi edhe detyra e obligime për ata që dhanë
jetën për këtë ditë, për këtë moment Dhjetë vjet që ne jemi të pavarur,
por pavarësia ende është proces i papërfunduar. Nuk jemi ende anëtar të
Kombeve të Bashkuara, domethënë shtet sovran që i ka të gjitha të
drejtat si shtetet tjera sovrane. Ndaj motra vëllezër ju bëj thirrje që
secili nga ju të ndihmojë sadopak për Kosovën me emrin e tij të mirë, me
imazhin e tij të mire. Kështu ne ti tregojmë botës se ne jo vetëm dimë
të fitojmë lirinë tonë por ne dimë edhe ta mbajmë atë, të jemi një komb
si gjithë kombet e tjera me standardet e perëndimit, që ne jemi të denjë
të jemi pjesë e Evropës pavarësisht pengesave që na nxjerr përpara
shkjau.”
Ky ishte mesazhi që Shoqata Atdheu nga qyteti i Thunit përcolli tek
bashkatdhetarët qe kishin mbushur plot sallën ku u mbajt kremtimi i 10
vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.