“Mësimdhënësit duhet t’u japin mundësi nxënësve në klasat fillestare t’i përdorin gishtërinjtë ose mjetet e ndryshme manipuluese (shkopinj, pllaka dhe të ngjashme) me qëllim që ta kuptojnë konceptin për numrat dhe të zhvillojnë shkathtësi për përdorim të tyre në aktivitete të ndryshme praktike”, thuhet në njërin prej tre rekomandimeve për mësimin sa më cilësor të matematikës në shkollat fillore
Mësimi përmendësh është padyshim strumbullari i të gjitha problemeve që kanë të bëjnë me cilësinë e dobët të mësim-nxënies në nivelin e arsimin parauniversitar në Maqedoni. Këtu e vënë theksin jo vetëm pedagogët dhe metodistët e lëndëve të ndryshme, por edhe institucionet me renome ndërkombëtare, të cilët analizojnë shkaqet e renditjes në vendet e fundit të testimeve PISA, shkruan gazeta KOHA. Kështu, kur në testimin e para dy viteve, 15 vjeçarët nga Maqedonia u radhitën në vendin e 67 në mesin e 70 vendeve të botës sa i përket nivelit të dijeve nga lënda e matematikës Organizata Qytetare “Finance Think”, e cila bën analiza për nevojat e shteteve të OECD-së, kishte piketuar si problematike metodat e vjetra të mësimdhënëses në shkollat tona.
Duke vlerësuar rezultatet për nxënësit nga Maqedonia, mes tjerave ishte konstatuar si problematike “dominimi i metodave tradicionale me të cilat mësimdhënësit janë përcjellës të dijeve kurse nxënësit pranues pasiv”, dhe “metodat e mësimit faktografik apo të mësuar përmendësh”. Në ndërkohë, një hulumtimi i brendshëm i realizuar nga Fondacioni për Iniciativa Arsimore dhe Kulturore “Hap pas hapi” e kishte konstatuar të njëjtin fakt si problemin gjithashtu të madh të mësimit në lëndën e matematikës.
“Llogaritja përmendësh është strategjia e përdorur te nxënësit gjatë mbledhjes, zbritjes dhe zgjidhjes së detyrave tekstuale”, është njëri prej tre konstatimeve të hulumtimit për mësimin e matematikës te nxënësit e klasave të II, III dhe IV. Në dy konstatimet tjera qëndron se “në fushën e matematikës, për nxënësit e klasave II dhe III detyrë më e vështirë është zbritja, e pas saj janë detyrat tekstuale” si dhe se “ulja e rezultateve në mbledhje dhe zbritje te nxënësit e klasës IV te mostra longitudinale është shenjë brengosësh se nxënësit nuk i kanë përsosur këto operacione themelore matematikore”. Pra, në Maqedoni, sipas hulumtimit i cili përfshiu rreth tetë mijë nxënës të gjitha shkollave fillore, shkohet në klasë V ku nisin dhe avancohen detyrat matematikore pa fituar paraprakisht njohuritë bazike në këtë lëndë. Kjo, sipas profesorëve të lëndës e komplikon ende më shumë situatën.
“Pa njohuritë bazike, të cilat mësohen në ciklin e ultë, mësimi i matematikës me logjikë do të jetë i pamundur në nivelet më të larta të shkollimit. Është njëlloj si të mos kesh mësuar Alfabetin dhe të pretendosh shkrimin dhe leximin”, thotë matematikani Fitim Dika. Problemi, sipas tij, qëndron në faktin se lënda e matematikës në shkollat fillore (ciklin e ulët) punohet me kuadër jo edhe aq të kualifikuar për këtë lëndë. Prandaj, vëren më tej ai, ata që mbarojnë fakultetet pedagogjike, konkretisht grupin klasor, duhet të pajisen me më shumë kompetenca për mësimdhënien e matematikës ose të gjendet një model për angazhimin e kuadrit të përshtatshëm për dhënien e mësimeve në këtë lëndë. Sepse, pasojat janë vërtetë të rënda, pohon Dika, profesor i matematikës në Shkollën e Mesme “Cvetan Dimov” në Shkup. “Ne na ndodh që të na vijnë në shkollat e mesme nxënës të cilët nuk dinë shumëzimin dhe pjesëtimin, nuk njohin operacionet elementare të matematikës. Imagjinoni pastaj që ato nxënës, të cilët për fat të keq nuk janë pakicë, të duhet të mësojnë algoritmet apo njësi të ngjashme matematikore”, thotë ai, ndërsa nënvizon opinionin e përgjithshëm të nxënësve se “matematika është lëndë e vështirë”. Nuk është lënda e vështirë, por problemi i ngecjes së mësimit të saj në nivelet e ulëta të shkollimit e që më vonë pamundësojnë mësimin me logjikë të matematikës në nivelet e më pastajme, sqaron Dika duke plotësuar se mësuesit duhet të gjejnë metodat që më së tepërmi u përshtaten nxënësve për mësimin e kësaj lënde. Ndodh rëndomë nëpër shkollat fillore që mësuesit të kërkojnë prej nxënësve të mos përdorin gishtërinjtë për mbledhjen dhe zbritjen e numrave.
Mirëpo, hulumtimi i Fondacioni për Iniciativa Arsimore dhe Kulturore “Hap pas hapi” vëren se është shumë e gabuar kjo qasje e mësuesve. Përkundrazi, përdorimi i gishtërinjve sipas rekomandimeve të hulumtimit duhet të shfrytëzohet si metodë me ët cilën do të lehtësohej mësimi i matematikës. “Mësimdhënësit duhet t’u japin mundësi nxënësve në klasat fillestare t’i përdorin gishtërinjtë ose mjetet e ndryshme manipuluese (shkopinj, pllaka dhe të ngjashme) me qëllim që ta kuptojnë konceptin për numrat dhe të zhvillojnë shkathtësi për përdorim të tyre në aktivitete të ndryshme praktike”.
Ky është njëri prej tre rekomandimeve të hulumtimit për mësimin e matematikës në shkollat fillore në Maqedoni. Në dy rekomandimet tjera propozohet që ” nxënësve t’ju jepet më shumë kohë për ushtrimin e shkathtësive themelore matematikore që të mbyllet hendeku i krijuar me zbatimin e programit të ri mësimor në matematikë” dhe që “mësimdhënia në matematikë në klasat fillestare të përqendrohet te komponentët e të kuptuarit, të gjykuarit dhe zbatimit të njohurive matematikore”. Kjo, sipas të njëjtit rekomandim, do t’u krijon mundësi nxënësve ta ushtrojnë llogaritjen si pjesë të aktiviteteve të ndryshme për zgjidhjen e problemeve dhe jo vetëm memorizimin e rregullave, formulave dhe procedurave. (koha.mk)