Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, nuk ka zgjidhje për debllokimin e debatit për miratimin e ligjit të gjuhëve, pasi kryetari i shtetit Gjorge Ivanov refuzoi të dekretojë ligjin dhe pasi opozita maqedone dorëzoi mbi 35 mijë amandamente për të bllokuar miratimin e tij.
Në takimin e sotëm me koordinatorët e grupeve parlamentare, Xhaferi nuk ka arritur ujdi për vazhdimin e seancës duke bllokuar punën e Kuvendit për tre javë tashmë.
Shumica parlamentare momentalisht nuk ka mënyrë se si ta kalojë ligjin për gjuhët, por vetëm shpresojnë se VMRO-DPMNE do të ndryshojë qëndrimin dhe të tërheq amandamentet.
Megjithatë, opozita maqedone nuk lëshon pe dhe këmbëngulë që ligji të tërhiqet dhe të korigjohet. Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Vlatko Gjorçev, thotë se ligji i gjuhëve është i dëmshëm për shqiptarët dhe maqedonët.
“Në hartimin e ligjit duhet të marrin pjesë personalitete nga të gjitha fushat, në mënyrë që i njëjti më pas të jetë i pranueshëm për të gjitha palët”, thotë Gjorçev.
Për të tejkaluar ngërçin në Kuvend, ekspertët kanë sugjeruar seancat plenare të ndahen në dy pjesë, në pjesën e parë të ketë debat për ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe në tjetrin të diskutohet për ligjet e rëndësishme për integrimin euroatlantik të vendit.
Jo zyrtarisht mësohet se nesër deputetët mund të mblidhen në sallën plenare për të diskutuar për ligjet me procedurë të shkurtuar, por nuk thuhet asgjë se kur do të vendoset në rend dite ligji për përdorimin e gjuhëve. Momentalisht të diskutohen presin Ligji për ndjekje të komunikimeve, Ligji për uljen e shpenzimeve për rrugë, Ligji për informatorët dhe të tjera.
Nga kabineti i kryeparlamentarit thonë se për çdo aktivitet të ri opinion dhe mediat do të informohen përmes faqes zyrtare të Kuvendit.
Përgatiti: Evi Shkopi
Montimi: Evi Shkopi
Kameraman: Dejan Nedelkovski
Almakos.com