Para dy ditëve në selinë e Lëvizjes BESA janë mbledhur kuvendarët e degës së Çairit dhe e kanë zgjedhur kryetarin e degës, ndërsa sonte në mënyre solemne u përurua zgjedhja e kryetarit të Degës së Lëvizjes BESA-Çair.
Për kryetar dege i kësaj Lëvizje, unanimisht u zgjodh doktor Bekim Sali, stomatologu i mirënjohur nga Çairi.
Më poshtë do ju paraqesim fotografi nga evenimenti në fjalë dhe fjalimin e kryetarit të degës, Bekim Sali./InfoShqip.com
Të respektuar, këtë e ndjenjë e kam edhe sonte. Më vjen shumë mirë, jam i nderuar dhe i privilegjeruar, por njëherazi edhe ndjej përgjegjësi të madhe morale e njerëzore, që më keni ngarkuar përsëri t’i prijë degës së Çairit. Më shumë se gjithçka për mua vlen besimi që keni ju ndaj meje. Andaj ju faleminderit dhe ju faleminderit.
Të nderuar, pasi që kemi mbërri në këtë pikë, dua ta përcjell një porosi, një selam për të gjithë: nuk mund ta fitoni atë që nuk dorëzohet. E di se na kanë lënduar, e di se na kanë dëshpëruar, ama dua t’ju them sonte se nuk na kanë thyer. Dega e Çairit është edhe më e fortë seç ka qenë edhe në fillim. Ka ndodhur një spastrim, një katarzë, që na ka bërë më të fortë dhe na dhënë një mësim të mirë – “Besnik bëhu, por mos i beso secilit!” Ne do të vazhdojmë të punojmë, do të vazhdojmë të besojmë dhe do të vazhdojmë të sakrifikojmë edhe kur të na tradhtojnë, edhe kur na luftojnë, edhe kur na shpifin, edhe kur na shajnë. Dhe, këtë do ta bëjmë me shumë përkushtim, sepse ne besojmë se detyra jonë është të punojmë për të mirën e këtij populli, për të mirën e gjeneratave që vijnë dhe të mos ia dimë se kush na lufton e kush na tradhton. Ne jemi përgjegjës për pjesën tonë të punës dhe për këtë do ta vazhdojmë këtë rrugë. Fundja, secili shpërblehet te Zoti për punën e tij.
Për këtë arsye unë ju ftoj që, ashtu si u dëshmuam të gjithëve se në Çair nuk ka përçarje dhe nuk e durojmë tradhtinë, kështu t’u dëshmojmë edhe shqiptarëve dhe gjithë të tjerëve se ne nuk bëjmë kompromis me sistemin tonë të vlerave. Ne nuk ua falim atyre që i kanë tradhtuar shqiptarët dhe Çairin tonë. Dhe, prandaj jam i sigurt se ata që e kanë këtë përkushtim, sigurisht do të fitojnë. Dhe, ata fitues do të jemi ne. Për këtë ju premtoj. Çairi meriton më shumë dhe më mirë dhe ne do ta bëjmë këtë.
Ju faleminderit dhe mirupafshim!