Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi u dërgoi letër ngushëllimi familjërave të bashkëpartiakut të tij nga Bashkimi Demokratik për Integrim me rastin e ndarjes së tij të hershme nga jeta.
“Të nderuar familjarë të të nderuarit Abdilaqim Ademi, më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë t’ju shpreh ngushëllime të sinqerta për humbjen e kolegut tonë, deputetit të mëparshëm, ministrit të mëparshëm të Arsimit, zëvendëskryetarit të Qeverisë, Sekretarit të përgjithshëm të BDI-së, por, para së gjithash, mikut tonë të dashur.
Lajmi i hidhur për ndarjen e hershme nga jeta na tronditi shumë, na rikujtoi se sa të pafuqishëm jemi para fatit por edhe se duhet ta çmojmë dhe vlerësojmë çdo çast, çdo memorie që e kemi ndarë me njerëz të mirë, njerëz fisnikë dhe intelektualë të respektuar që kanë lënë gjurmë në shoqërinë tonë. I atillë ishte Abdilaqim Ademi dhe kujtimi për të nuk do të zbehet kurrë!
Prehu në paqe mik i nderuar!”, thuhet në telegram ngushëlimin e kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi.