A është i lirë një njeri, i cili për të ekzistuar, qenies së tij dëshpërimisht i duhet pushtet dhe para!? A është i lirë një njeri, i cili ka pushtet mbi të tjerët, por nuk ka pushtet mbi veten!? Nuk e kontrollon dot veten, nuk e kupton vetveten, nuk i menaxhon epshet, zilinë, ambiciet, ndërsa i ka prangosur ndjenjat pozitive, ka anesteziuar shpirtin e tij!? Sa është i lirë një njeri, i cili mbetet çdoherë skllav i parasë dhe i ambicies për të rritur çdoherë e më shumë vlerën e tij materiale?!
Shkruan: Teuta BUÇI, Shkup
Liria është synimi që ndjek çdo individ, edhe atëherë kur ai nuk e kupton që qëllimi final i tij, në vetëdije ose në nënvetëdije, është arritja e saj. Liria është motivi i çdo njeriu, e artikuluar në mënyra të ndryshme. Liria është thellë në çdo ëndërr që ndërton njeriu, është bërthama e saj, e vogël, por thelbësore për ndërtimin e saj. Prandaj, euforia që mbizotëron te njeriu është momentale kur ai realizon një ëndërr. Pasi, satisfaksioni i vërtetë nuk është realizimi i ëndrrës, por liria ose grimca lirie që sjell ajo. Ne ndonjëherë nuk dimë ta vlerësojmë, por pa të jeta nuk ka kuptim. Njeriu është një pelegrin që ecën e ecën, kalon vite e dekada nëpër tunele, për ta takuar lirinë e për ta mbushur shpirtin me dritën që e pret në fund të tij.
Gjatë rrugëtimin tonë në jetë ose gjatë fazave tona të jetës na kanë mësuar se paratë janë gjëja më e rëndësishme në jetë. Na kanë rritur me idenë se duhet të arsimohemi dhe të punojmë shumë që një ditë të jemi shumë të pasur. Na kanë mësuar, po ashtu, se kur një ditë ta arrijmë atë pasuri, do të jemi të lirë, do të kemi shumë pushtet, me anë të të cilit ne do të mund të përvetësojmë ose të arrijmë gjithçka që duam. Sikur paraja e definon suksesin tonë. Asnjë sukses tjetër nuk krahasohet ose nuk është i kompletuar nëse nuk të sjell pasurim material. Ti nuk je i suksesshëm, nuk ke vlerë, nuk ke pasur asnjë arritje, nëse veprimtarinë tënde nuk ke arritur ta përkthesh në shifra bankare! Këto janë porositë që kemi marrë gjatë gjithë kohës në jetën tonë.
Në të gjitha ciklet arsimore kemi dëgjuar shumë herë tregime motivuese nga profesorë që flasin me entuziazëm se si biznesmen e njerëz të profileve të ndryshme kanë arritur të bëhen ndër më të pasurit në botë dhe, me këtë, të bëhen të pushtetshëm dhe të kenë ndikim. Por, çdoherë mungojnë ligjëratat që tregojnë se çka ngërthen ose çka duhet të ngërthejë në vete një njeri i pasur. Sepse, në këto storje motivuese mungon çdoherë ana tjetër e medaljes.
Por, a është i lirë një njeri, i cili për të ekzistuar, qenies së tij dëshpërimisht i duhet pushtet dhe para!? A është i lirë një njeri, i cili ka pushtet mbi të tjerët, por nuk ka pushtet mbi veten!? Nuk e kontrollon dot veten, nuk e kupton vetveten, nuk i menaxhon epshet, zilinë, ambiciet, ndërsa i ka prangosur ndjenjat pozitive, ka anesteziuar shpirtin e tij!? Sa është i lirë një njeri, i cili mbetet çdoherë skllav i parasë dhe i ambicies për të rritur çdoherë e më shumë vlerën e tij materiale?! Sa është i lirë një njeri, i cili të vetmen vlerë të tij materiale dhe shpirtërore e ka paranë!? Sa do vlente ky njeri nëse gjithë pasuria materiale një ditë shndërrohet në hi!?
Por, nëse paraja përcakton arritjet dhe veprimtarinë e suksesshme të një personi, ku bëjnë pjesë shpirtrat e lirë, në ëndrrat e të cilëve nuk ka vend për ambicie materiale!? Ata të cilët besojnë se thesaret e vërteta burojnë nga brenda, nga thellësia e shpirtit dhe e kalojnë jetën në gjetjen e pasurive të këtij lloji. Ata të cilët e ndriçojnë rrugën e të tjerëve.
Ku bëjnë pjesë vajzat që nuk u binden rregullave të modës, nuk i ndjekin trendet botërore. Që nuk i binden teorisë se një vajzë nuk guxon të dalë nga shtëpia pa makijazh, sepse vetëm në atë mënyrë vë në pah dukjen e saj. Ato nuk ia besojnë bukurinë e tyre parukieres më të mirë në qytet, pasi makijazhi nuk është gjëja më e mirë që ato mund të bëjnë dhe jo gjëja e vetme me të cilën ato duan që të përfaqësohen.
Ato ecin mes turmës me flokë të ngatërruara, por me mendime dhe vizione shumë të qarta. Ato janë çdoherë në vrap, shpejtojnë edhe atëherë kur duhet ta kapin semaforin, sepse nuk kanë kohë për të humbur, janë çdoherë në nxitim për ta realizuar ëndrrën e tyre. Duken çdoherë të përhumbura dhe të përgjumura. Sepse, ato jetojnë brenda botës së tyre, e cila asnjëherë nuk fle. Një botë e rebeluar, e cila nuk u bindet dot rregullave të turmës. Ato janë një pjesë që çrregullojnë renditjen e turmës, një tingull që prish harmoninë e melodisë së korit. Vetëm një tingull, por më i fuqishëm se gjithë tingujt tjerë. Ato janë mendimi jashtë kutisë. Duken, po ashtu, se e kanë humbur kontaktin me realitetin, sepse janë të irrituara me botën. Duan ta mbajnë sa më larg tyre gjithë botën, sepse glamuri i saj është helmues dhe i errët. Por, ato janë të bukura ashtu siç janë dhe nuk bëjnë ndërhyrje të dhunshme artificiale në pamjen e tyre. Sepse, ato e kanë edukuar shpirtin e tyre me Hygonë, Dostojevskin,Tolstoin, Markezin, Heminguejin…, kanë mësuar ta respektojnë veten dhe të kenë besim te vetja. Kanë mësuar ta respektojnë qenien e njeriut, mendimet dhe të drejtat e tij. Kanë mësuar, mbi të gjitha, se liria e vërtetë ndodhet brenda vetes, në mendjen e njeriut….
Se liri është kënga e bilbilit që jehon nga kafazi i tij. Është shpresa për jetë e të burgosurit. Janë tingujt e kitarës së artistit në rrugë. Është mendimi që nuk ndikohet nga të tjerët. Sepse, kur liria është brenda nesh, ajo gjen mënyra dhe rrugë për të shpërthyer jashtë. Dhe, kjo është pasuri e vërtetë dhe e paçmueshme!