Kaos i vërtetë në Strugë i shkaktuar nga reshjet e borës. Shtylla të rrëzuara në mes të rrugës dhe tela që rrinë zvarrë. Në disa pjesë të qytetit dhe në njëzet vendbanime prej mbrëmë nuk ka rrymë, e për shkak të kësaj qytetarët mbetën edhe pa ujë të pijshëm. Komunikacioni zhvillohet në kushte të vështirësuara përkundër faktit që punohet në pastrimin e borës. Disa nga qytetarët u organizuan dhe vetë e pastruan borën para oborreve dhe dyqaneve të tyre.
https://youtu.be/u8cmWMpspCQ
“Te unë nuk ka rrymë. Na pengoi në punë. Kam furrë dhe do të humbas edhe para. Edhe ujë nuk kam. Është gjendje e jashtëzakonshme”
“Po si gjithnjë ashtu edhe tani. Nëse nuk ka rrymë, nuk kemi edhe ujë – thonë banorët.
Në disa shkolla sot nuk u mbajt as mësim. Në shtëpi mbetën nxënësit e Labunishtës, Veleshtës, Ladorishtës, Frëngovës, Zagraçanit dhe fshatrave të tjera. Autoritetet lokale shprehen se është duke u punuar intensivisht në terren me qëllim të normalizimit të gjendjes..
Nga EVN Maqedoni shprehen se moti i keq i përcjellë me reshje të dendura të shiut dhe borës e kanë ndërprerë furnizimin e energjisë elektrike në pjesën jugperëndimore të Maqedonisë. Ekipet e kompanisë gjatë ditës së djeshme i kanë sanuar defektet në disa vendbanime, përveçse atje ku ka pasur probleme me qasjen për shkak të reshjeve të mëdha të borës dhe rrëshqitjeve të tokës në rrugë. Prej sot në mëngjes ekipet janë vazhdimisht në terren dhe ashtu siç i sanojnë defektet, edhe vendbanimet furnizohen me rrymë.