Emër i përbërë për përdorim të jashtëm dhe të brendshëm, për të cilin duhet ndryshim kushtetues dhe tërheqjen e të gjitha dyshimeve për qëndrime irredentiste, është korniza që e garanton mbylljen e problemit, sipas kryeministrit grek. Siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Athina, Aleksis Cipras, në takimin e grupit të deputetëve të SYRIZA-s, përveç për ekonominë dhe skandalin Novartis, foli edhe për çështjen emrit. Tha se qeveria greke ka ndërmarrë përgjegjësi që të mbyllet problemi “me dinjitetin dhe përgjegjësinë patriotike” dhe e përsëriti pozitën e Athinës dhe kërkesat e palës greke në bisedimet.
“Zgjidhja nuk mund të jetë tjetër veç se një emër i përbërë i cili do të vlejë për të gjithë, për përdorim të përgjithshëm. Diçka për të cilën gjithsesi, parakusht është edhe ndryshimi kushtetues, që emri me të vërtetë të jetë erga omnes, gjegjësisht për përdorim të përgjithshëm. Nuk mund të jetë një përdorim jashtë, ndërsa tjetër të jetë emri në Kushtetutë. Gjithsesi parakusht është edhe tërheqja e çdo dyshimi për irredentizëm. Kjo është korniza e vetme që e garanton zgjidhjen e problemit dhe
kalimin në epokë të re për tërë Ballkanin, larg nacionalizmit, fanatizmit dhe jotolerancës”, tha Cipras,
transmeton MIA.
Kryeministri grek u përqendrua edhe në protestën në Athinë duke komentuar se qeveria nuk i injoron protestuesit dhe në mënyrë indirekte dërgoi mesazh deri tek të gjithë ata që kërkuan “të mos jepet emri Maqedoni”.
“Dëshiroj të pyetem, cili është mesazhi i kësaj proteste? Mesazhi për karakterin grek të historisë së Maqedonisë dhe të Lekës së Madh dhe trashëgimisë së tij? Nëse ky është mesazhi, atëherë mendoj se janë duke trokitur në dyer të hapura. Mesazhi është të mos kërkojmë zgjidhje të problemit i cili është hapur prej vitit 1992? Nëse ky është mesazhi atëherë është i gabuar dhe është në llogari të interesave kombëtare. Ose ndoshta mesazhi është, siç thanë shumë prej folësve, mos e jepni emrin Maqedonia? Nëse kjo është kërkesa, nuk duhet të gjykojmë nëse është e gabuar ose e drejtë, pasi që para se të gjykojmë nëse është e gabuar apo e drejtë, duhet ta themi të vërtetën, se është jashtë kornizave të realitetit. Pasi që as kjo qeveri as cilado tjetër prej vitit 1992 e andej nuk u ballafaqua me dilemën e tillë nëse duhet ta japë emrin, shumë thjeshtë pasi që emrin Maqedoni, Greqia mirë apo keq, e ka pranuar që para shumë vitesh”, tha Ciparas.
Ai, duke folur para deputetëve të SYRIZA-s, sqaroi se Greqia që në kohën e Jugosllavisë e ka pranuar termin Maqedonia në emrin e vendit tonë, ndërsa ky pranim ka vazhduar me emrin e përkohshëm IRJM, në të cilin, siç tha, shkronja M do të thotë Maqedoni. Tani, Qeveria dhe vendi, sipas Cipras, nuk janë thirrur të japin diçka, që është dhënë prej të tjerëve, por të marrë mbrapa, disa punë të caktuara.