Kryetari i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, më 25 shkurt do ta vizitojë Rebublikën e Maqedonisë si vendi i parë i turneut të tij në vendet e Ballkanit Perëndimor në drejtim të prezantimit të Strategjisë së BE-së për rajonin. Këtë sot në pres konferencën e deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani në të cilën ishte prezantuar edhe analiza
e thellë e porosive dhe përmbajtjeve në Strategjinë e BE-së për Ballkanin Perëndimor e publikuar parmbrëmë në Strasburg.
“Ky është moment i rëndësishëm për prezantimin e Strategjisë, por edhe për inkurajimin e qeverive që t’i dyfishojnë përpjekjet për arritjen e targeteve të reja të shkurtuara”, tha Osmani. Sipas tij, Strategjia i përmbush të gjitha pritshmëritë e Maqedonisë, sepse valorizohen sukseset e vendit në raport me reformat, paralajmëron përgatitje të jepet rekomandim i qartë nga ana e BE-së për hapjen e bisedimeve dhe mundëson të mos ketë diferencime të vendeve në bazë të mundësisë për anëtarësim, por vlerësim të tyre individualisht sipas rezultateve të arritura.
” Maqedonia me këtë uording që është dhenë në këtë Strategji është e kënaqur sepse mundëson që kur të fillojnë bisedimet të mund të arrijë paraprijësit në këtë proces nëse arrin rezultate. Ne e dëshirojmë këtë, sepse Maqedonia është vendi më i vjetër në këtë proces edhe para Serbisë, Malit të Zi dhe të gjitha vendeve nga Ballkani Perëndimor, sepse kishim Marrëveshje për Stabilizim dhe Asociim në vitin 2001, jemi kandidat nga viti 2005 dhe ka shumë arritje në procesin e harmonizimit me legjislaturën evropiane dhe transformimin e shoqërisë”, tha Osmani.
Ai theksoi se Raporti i Komisionit Evropian për zhvillimin e vendit do të publikohet më 17 prill dhe pret rekomandim të qartë të nëntin me radhë për fillimin e bisedimeve.
Në aneksin e Strategjisë, sipas Osmanit, është përcaktuar edhe lista e detyrave për BE-në përmes së cilave ajo duhet që t’i përgatisë vendet për anëtarësim. Njëherësh, është parashikuar BE-ja institucionalisht të përgatitet për pranim të anëtareve të reja, si dhe të bëhet e fortë para se të bëhet më e madhe.
Gjithashtu, parashikohen aranzhime të veçanta dhe obligime të parevokueshme me qëllim që të pengohet që vendet e reja anëtare ta bllokojnë anëtarësimin e vendeve të tjera nga Ballkani Perëndimor. Nga ana tjetër vendet kandidate, pritet që të implementojnë reforma gjithëpërfshirëse në fushat kyçe në raport të sundimit të së drejtës, të drejtave themelore dhe qeverisjes, përforcimin e ekonomisë, vendosjen e rregullave dhe standardeve të BE-së dhe pajtim dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.
Për implementimin e Strategjisë është parashikuar edhe përkrahje e rëndësishme financiare. Vetëm në vitin 2018 duhet të alokohen një milionë euro të cilat duhet ta ndihmojnë procesin e transformimit të shoqërive të vendeve nga Ballkani Perëndimor. Për këtë qëllim, në mars BE-ja në mbledhje do ta vendosë dinamikën dhe shpërndarjen e mjeteve për çdo vend kandidat.