Qeveria kërkon zgjidhje afatgjate për dislokim të Arkivit Shtetëror e cila nuk do të jetë në dëm të buxhetit, e as madje të materialit arkivor dhe të këtij institucioni në përgjithësi, deklaroi sot në konferencën për shtyp zëdhënësi qeveritar Mile Boshnjakovski.
Në seancën e djeshme ministrat e shqyrtuan informatën për tejkalim të problemeve në Arkivin Shtetëror të shkaktuar nga përmbytja e një pjese të hapësirave të Arkivit Shtetëror, gjegjësisht të një pjese të hapësirës së zyrave dhe depos.
“Informata parashikon zgjidhje të mundshme të problemit i cili është rezultat i sjelljeve jashtëzakonisht jologjike të qeverisë paraprake. Zgjidhja që do ta sjellë kjo Qeveri do të jetë afatgjate, në interes të Republikës së Maqedonisë në mbrojtje të Arkivit Shtetëror dhe të materialit arkivor”, tha zëdhënësi Boshnjakovski.
Pjesa më e madhe e materialeve arkivore janë të mbrojtura për shkak se aspak nuk janë zhvendosur nga depoja në ndërtesën e vjetër të Arkivit Shtetëror.
Lidhur me problemin që e ka shkaktuar vendi vakant i drejtorit në Drejtorinë për Evidencën e Regjistrave të Amzës, Boshnjakovski tha se problemi në periudhën e ardhshme do të zgjidhet dhe se të punësuarit në këtë institucion shtetëror do t’i marrin pagat e tyre, pagesa e të cilës vonohet. Drejtoria, tha ai, për momentin nuk ka drejtor, për shkak se Gjoko Kotevski është emëruar drejtor i Burgut të Shkupit.