Reshjet e shiut kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale në shumë vendbanime të rajonit të Kërçovës, por më të prekurit e kësaj fatkeqësie janë banorët e lagjes së “Prilepit” në qytetin e Kërçovës, që jetojnë në afërsi lumit të Zajazit.
Kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, thotë se janë marrë të gjitha masat e duhura të intervenimit ndaj kësaj fatkeqësie natyrore. Rreth 30 familje të prekura nga përmbytjet u vendosën në sallën sportive të “Ivanidollit” dhe për ato u siguruan produkte ushqimore e higjienike dhe përkujdesja e nevojshme mjekësore, ndërsa ekipet e NP “Komunalec” vazhdojnë të punojnë në sanimin e dëmeve.
Sipas vlerësimeve të para nga vërshimet janë dëmtuar rreth 120 objekte banimi, është përmbytur fusha e sportit e KF “Vëllazërimi” dhe sipërfaqe të shumta tokësore që ndodhen përskaj lumit të Zajazit.
Arian Imeri, anëtar i komisionit tetëanëtarësh për vlerësimin e dëmeve, thotë se ekipi përkatës është duke evidentuar dëmet e shkaktuara dhe listën e vlerësimit për kompensimin e dëmit të shkaktuar nga vërshimet.
Ekipet e NP “Komunalec” vazhdojnë të punojnë në pastrimin e shtratit të lumit, i cili shkakton probleme të mëdha sa herë që kemi reshje më intensive të shiut. (Shaban Dalipi, TVM2)