Qyteti i Shkupit me dy versione të ndryshme për punimet për zgjerimin e bulevardit “Hristian Todorovski Karposh”, në komunën e Çairit në Shkup. Kryetari i qytetit, Petre Shilegov thotë se punimet në bulevard po zhvillohen, ndërsa zëdhënësi i tij, Valon Salihu, thotë të kundërtën se punimet kanë pushuar për shkak të acarit dhe ndotjes së ajrit, shkruan Almakos.
Në prezantimin e projekteve të realizuara gjatë 100 ditëshit të parë, Shilegov para gazetarëve tha se po vazhdojnë punimet për ndërtimin e dy korsive për biçikleta në bulevardin “Hristian Todorovski Karposh”.
“Aktivitet për ndërtimin dhe rindërtimin e korsive për biçikleta janë duke vazhduar. Për momentin janë duke u ndërtuar tre korsi të reja për biçikleta nga të cilat dy në bulevardin “Hristian Todorovski Karposh”, dhe një në rrugën “Sava kovaqeviq”. Në rikonstruim janë edhe katër tjera, një në bulevardin “Kiril dhe Metodij”, “Koço Racin”, “8 Shtatori” dhe në rrugën “Gjorçe Petrov”, tha mes tjerash Shilegov.
“Arsyet për ndërprerjen e përkohshme të punëve në rrugën “Hristian Todorovski Karposh” kanë të bëjnë më tepër me kushtet klimatike si dhe masat që po i ndërmerr Qyteti i Shkupit në lidhje me ballafaqimin me ajrin e ndotur në qytet. Punimet gjithsesi se do të fillojnë përsëri mirëpo po presim të krijohen kushtet e përshtatshme për të vazhduar të njëjtën”, thoshte për Almakos, Salihu fiks para një jave.
Mevludin Imeri
Almakos.com