“Maqedonia është e ndarë thellë në fushën e përfaqësimit të barabartë të etniteteve brenda shtetit”. Ky është vlerësimi i Komisionarit të Këshillit të Evropës për të drejtat e njeriut Nils Muizhneiks, i cili vendosi theks të veçantë në përdorimin e gjuhëve të grupeve shoqërore.
Sipas tij, tani është koha e fundit që Maqedonia t’i kalojë këto ndarje etnike. Përfaqësuesi i lartë i Këshillit Evropian për të drejtat e njeriut, bën thirrje për integrim dhe vlerësim të barabartë të etnive jo-maqedonase brenda shtetit.
“Shoqëria maqedonase mbetet thellësisht e ndarë përgjatë vijave etnike dhe gjuhësore dhe është koha e fundit që udhëheqësit politikë të krijojnë një strategji integrimi për të tejkaluar këto ndarje”, deklaroi Nils Muizhnieks, komisioner i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut.
Komisioneri Muizhnieks e quan kreativitet politik, dorëzimin e 35 mijë amendamenteve të VMRO-DPMNE-së për të bllokuar ligjin për gjuhët, megjithatë ai thotë se nuk ka vërejtur shqetësim te partitë që udhëheqin koalicioni qeverisës, për bllokimin e këtij ligji. Sipas tij, pas vendimit të komisionit Venecian do të qartësohen dilemat në lidhje me efektet pozitive dhe ata negative të sjelljes së këtij ligji.
“Është një mënyrë shumë kreative për tu munduar që të bllokosh diçka që nuk dëshiron të ndodh. Kryeministri dhe ministrat nuk më janë dukur të shqetësuar për këtë gjë. Ata mendojnë se edhe pa miratimin e këtij ligj gjërat do të ecin përpara. Nuk e di si është tradita këtu dhe se a kanë ndodhur gjëra të tilla më herët”, theksoi ai.
Komisionari Muizhnieks vlerëson se nëse koalicioni Qeverisës do përbëhej vetëm nga parti maqedonase gjendja e etniteteve tjera në Maqedoni do të ishte shumë më keq. Ai apeloi që të përpunohen politika më sistematike dhe afatgjate që ta shmangin ndarjen mes fëmijëve nga bashkësitë e ndryshme etnike në sistemin arsimor. Ai këtë qëndrim e ndërtoi pas një qëndrimi 5 ditorë në Maqedoni.