Nxënësit e klasës së parë në 366 shkolla ku mësimi zhvillohet në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën shqipe, do të furnizohen me 60.000 libra me fotografi me qëllim të arritjes së aftësive për lexim, transmeton Medial.mk
Ky aktivitet është pjesë e projektit të Fondacionit për nisma arsimore dhe kulturore “Hap pas Hapi” dhe fondacionit “MoneyGram” qëllimi i së cilës është përmirësimi i aftësive matematikore dhe gjuhësore të nxënësve.
Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi, i cili mori pjesë në promovimin e sotëm të këtij projekti, me këtë rast falënderoi realizuesit e projektit dhe gjithë faktorët shoqëror të cilët në mënyra nga më të ndryshmet japin kontributin e tyre në përmirësimin e cilësisë së sistemit arsimor, që njëherit është prioritet i lartë i qeverisë aktuale.
Ademi apeloi deri te mësimdhënësit që t’i zbatojnë dhe t’u përmbahen rregulloreve për përdorimin e këtyre mjeteve ndihmëse, siç tha ai, orët mësimore do të bëhen më kreative dhe argëtuese, gjë që sjell interes më të lartë për fëmijët.