Propozimi për projekt marrëveshjen që e kumtoi shefi i diplomacisë greke, Nikos Koxias, deklaratat pozitive dhe optimiste të Nimicit, dhe stacioni i ardhshëm i ndërmjetësit dhe bisedimet në Shkup, janë temat në të cilat mediumet greke e vendosin theksin pas aktiviteteve të djeshme të ndërmjetësit të KB-së në Greqi.
“Athina e prezantoi projekt marrëveshjen”; “Methju Nimic në Shkup, me propozimet nga Koxiasi”; “Nimic: Është koha për vendime”; “Negociata pa afat kohor”; “Marrëveshja në fokus të bisedimeve të Nimicit dhe Koxiasit”; “Nimic: tani është koha adekuate për zgjidhje” janë vetëm disa nga titujt në mediumet greke, lajmëron korrespondenti i MIA-s nga Athina.
Gazetarët tek fqinji jugor i transmetojnë deklaratat e ndërmjetësit dhe shefit të diplomacisë greke pas takimit të djeshëm dhe komentojnë se Nimic nga Athina largohet për në Shkup, ku do të bisedojë për propozimet dhe idetë e tija, por edhe ato greke.
“Duke e ruajtur besueshmërinë e përmbajtjes së bisedimeve, ministri i Punëve të Jashtme, Nikos Koxias dhe përfaqësuesi i posaçëm i KB-së, Methju Nimic, takimin e tyre në Athinë e karakterizojnë si “kreativ dhe produktiv”, ndërsa publikisht u dakorduan se çështja për emrin e IRJM-së tashmë është pjekur drejt zgjidhjes”, shkruan gazeta “Naftemboriki”.
“Pritet që Nimic kryesisë së IRJM-së t’ia transmetojë propozimet greke për zgjidhjen e emrit, përderisa, ndërkaq, do të bisedojnë edhe për propozimet, përkatësisht siç tha vetë ai ‘idetë e tija’ për emrin”, shktuan portali informativ In.
Për takimin e Nimicit me shefin e diplomacisë greke, reaguan nga partitë opozitare në Greqi.
Nga Demokracia e Re, siç kumtoi dje MIA, përmes deklaratës së përgjegjësit për politikë të jashtme, i cili u takua me Nimicin, thonë se takimi nuk e ka zvogëluar shqetësimin e partisë.
“Zgjidhja duhet të jetë një dhe e pandashme dhe të parashohë: së pari, eliminim të të gjitha formave të irredentizmit nga vendi fqinj. Së dyti, emër i pranuar nga grekët dhe së treti, miratimi i emrit për përdorim të përgjithshëm dhe nga të gjithë. Është e dukshme se garancë e vetme për tërë këtë është ndryshimi i Kushtetutës së Shkupit”, tha Jorgos Kumucakos pas takimit me ndërmjetësin Nimic.
“Me rastin e vizitës së zotëri Nimicit dhe propozimet që i kumtoi Koxias, tregohet pranimi i domosdoshëm i propozimit të Fofi Genimata për thirrje urgjente të këshillit të liderëve të partive politike nën presidentin e shtetit”, reagoi në Tuiter zëdhënësi i PASOK-ut, Pavlos Hristidis.
Nga Partia Komuniste e Greqisë, thonë se deklaratat e Nimicit janë tentim për ta “zbukuruar gjendjen në çështjen e Shkupit, ndërsa momentumi për zgjidhje nuk është asgjë tjetër përveç se përshpejtim për integrim të vendit fqinj në NATO”.
“Në të njejtën kohë degradohen çështjet si ajo që ka të bëjë me ndryshimin e Kushtetutës dhe që paraqet bazë për ushqim të irredentizmit dhe nacionalizmit”, komentojnë nga Partia Komuniste greke.
Për ndryshim të Kushtetutës flasin edhe nga partia Lidhja e centralistëve në kumtesën e tyre.
“Zotëri Cipras po përgatitet për zgjidhje të çështjes së Shkupit me lëshimin e fjalës ‘Maqedoni’ në formë të përbërë, pa ndryshim të Kushtetutës, duke u kufizuar nl deklaratat e vetme të funksionarëve nga Shkupi, se nuk kanë aspirata ndaj Greqisë”, kumtojnë nga Lidhja e centralistëve.
Nga Agimi i Artë radikal nacionalist, dërgojnë kritika të ashpra në adresë së Nimicit, por edhe fjalë fyese ndaj maqedonasve.
“Antigreku Nimic, i cili guxoi t’i quajë maqedonas, është i padëshiruar në Greqi. Propozimet e tij, që të gjitha e përmbajnë termin ‘Maqedoni’ janë të pahijshme dhe të papranueshme në baza nacionale”, tha Ilijas Kasidijaris, deputet nga Agimi i Artë./Medial