Kryetari i Organizatës së Veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati në një mini intervistë për Agjencinë e Lajmeve Zhurnal ka deklaruar se Gjykata Speciale është shumë e dëmshme për Kosovën dhe UÇK-në.
Ai një nga arsyet se pse është e dëmshme përmend faktin se kjo Gjykatë është e njëanshme sepse përndjek vetëm ushtarë e UÇK-së.
“Është e vërtetë që në Kosovë flitet shumë rreth Gjykatës Speciale, por ne si Organizatë e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kemi qenë dhe jemi kundër saj. Arsyeja pse jemi kundër kësaj është se kjo Gjykatë është e njëanshme, është një Gjykatë që i përndjek vetëm ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ne mendojmë se është një Gjykatë shumë e dëmshme për Kosovën dhe për vet luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, është shprehur Gucati.
Ai gjithashtu foli edhe për statusin e ish pjesëtarëve të UÇK-së në Maqedoni. Gucati tha se nuk është e drejtë të mos zgjidhet statusi i tyre, por ai beson ende te establishmenti shqiptar që do bën përpjekje edhe më të mëdha që të zgjidhet statusi i ish pjestarëve të UÇK-së në Maqedoni.
“Është e vërtetë se në Maqedoni ende nuk është zgjedhur statusi i veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Është zgjedhur statusi vetëm për pjestarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që na kanë ndihmuar neve në Kosovë. Por besoj se njësiti shqiptar në Maqedoni në krye me Ahmetin do ta gjejnë formën që të zgjidhet statusi i tyre. Është bërë një shkelje flagrante e qytetarëve shqiptar të Maqedonisë që kanë luftuar për të drejtat e veta dhe duhet që të ketë një nen që të zgjidhet statusi i tyre dhe jo të zgjidhet vetëm statusi i sigurisë maqedonase”, tha Gucati.
Gucati në gjatë intervistës së shkurtër për Zhurnal foli edhe për ligjin për përdorimin e gjuhëve që u miratua në Kuvend dhe për aktin e Presidentit Ivanov që e cilëson si akt të shëmtuar.
“Mua më vjen mirë së pari prej atyre deputetëve të Maqedonisë që më në fund u bindën se në Maqedoni kanë të drejtën edhe shqiptarët si shtetëformues kanë të drejtë që gjuhën e tyre ta gëzojnë dhe kjo është për tu përshëndetur. Akti i Presidentin maqedonas është një akt i shëmtuar por kjo krizë do të kalon. Besoj shumë te deputetët shqiptar por edhe te ata tjerët që prap do e votojnë këtë ligj dhe ta pranojnë gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoni”, tha mes tjerash Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati.
Përndryshe, Hysni Gucati në shenjë kujtimi të luftës së lavdishme të UÇK-së në Kosovë mbanë në vete edhe disa rrëfime dhe përjetime të cilat shumë pak i ndanë me të tjerët. Mirëpo me një bisedë prapa kamerave të Zhurnal tregon një rrëfim rrënqethës dhe shumë interesant nga lufta e UÇK-së. Është njeriu që në vete përmban përveç fotografisë së luftës së UÇK-së kundër ushtrisë serbe, në veten e tij ka edhe 26 operacione në këmbën e djathtë dhe një plumb që mbanë brenda në këmbë si kujtim të luftës së lavdishme. Ai thotë se nuk e ka ndërmend të intervenoj dhe ta nxjerr plumbin me operacion për arsye siç thotë Gucati: “Mbanë aromën dhe kujtimet të UÇK-së”