Ligji për amnisti sot hyn në fuqi dhe nga e hëna burgjet do të fillojnë me shpërndarjen e dosjeve të personave të dënuar deri në gjykata.
Shpejtësia e lirimit të personave të amnistuar varet nga gjykatat, thonë nga burgjet. Ata konfirmuan se janë të gatshëm të dorëzojnë të gjitha vendimet që lirojnë të dënuarit nga dënimet me burg.
“Jemi të organizuar që në dorë t’i dorëzojmë vendimet në të gjitha gjykatat me qëllim që të mos humbim kohë përmes dërgesës me postë”, theksojnë ata.
Dinamika, sipas tyre varet nga gjykatat që përgatisin vendimet.
Ligji i Amnistisë, u miratua më 15 janar, ndërsa përveç amnistisë së rreth 800 të burgosurve, parashikon gjithashtu zvogëlim të dënimit prej 30% edhe të 3.097 personave të dënuar.