Dega “Butel” e Aleancës për Shqiptarët ka ngritur zërin kundër kryesisë së partisë në prag të Kongresit të parë, duke kërkuar kështu përfshirje në vendimmarrje dhe përfaqësim të denjë në organet partiake . Sipas tyre, dega e Butelit ka qenë e anashkaluar si në punësime që u bënë gjatë kohës kur Aleanca ishte ne Qeveri, ashtu edhe në vendimmarrje politike.
1 muaj para mbajtjes së Kongresit të partisë, është paraparë që të mbahet Kuvendi i Degës së Butelit ku do vendosin për propozimet e udheqësisë së re të kësaj dege. Kryetari për organizmin e Kuvendit të Degës së Butelit, Erkan Shabani, thotë se ka mbështetjen e plotë të anëtarëve të degës që përfaqëson në kërkesat që i ka adresuar kryesisë së Aleancës. Ai thekson se presioni dhe anashkalimi nuk ka ardhur nga kreu i partisë Ziadin Sela, por nga anëtarët e kryesisë së ngushte duke mos dashur që tua përmend emrin.
“Reagimi jonë i para disa ditëve konsiston me anashkalimin që i është bërë dhe vazhdon ti bëhet një pjese të madhe te përfaqësuesve të Aleancës për Shqiptarët Dega Butel dhe Shkupit dhe shkupjanëve në përgjithësi nga ana e disa individëve të kreut partiak. Shpeshherë mund të mos na pëlqejnë mendimet e të tjerëve dhe shprehja e tyre publike, por përveç tolerancës apo debatit publik, rrugët e tjera na dërgojnë në anarki të dhunshme ose totalitarizëm. Të gjithë duhet të solidarizohemi, pa marrë parasysh a pajtohemi me atë që thuhet publikisht apo me atë se si do të veprohet politikisht sot pasi nuk do te lejojmë të instalohet ideja se ai që nuk mendon si unë nuk mund të jetë me mua. Që sot e tutje s’do të lejojmë askënd të vrasë shprehjen e mendimit të lirë si një e drejtë substanciale ne demokracinë parlamentare”, tha Erkan Shabani, Dega Butel – Aleanca për Shqiptarët.
Kryesia e Aleancës për Shqiptarët sot nuk deshi të përgjigjet në kërkesat dhe akuzat e Degës së Butelit. Ndërkaq disa anëtarët të kryesisë së ngushtë për Alsat-M mohuan zërat për përçarje të mundshme duke thënë se Aleanca për Shqiptarët është e bashkuar dhe se për të gjithë risitë do të vendoset pas disa muajve kur edhe do të mbahet Kongresi i partisë i paraparë për më 11 mars.