Sekretari i përgjithshëm i ASH-së, Arben Taravari ka reaguar lidhur me rastin e çarjes së gomave të makinës private të nënkryetarit të partisë së tyre, Remzi Memedi.
Ai përmes një postimi në facebook ka theksuar se nuk mund të frikësojë askush ASH-në.
“U informova që në Kërçovë nënkryetari i partisë Aleanca për Shqiptarët z.Remzi Memedi po pëson sulme dhe kërcënime!
Ekipit të tij, atij vet deri dhe bashkëshortes së tij i kanosen në mënyrë kriminale dhe amorale.
As ligji, as morali, as nderi dhe as tradita nuk lejon dhe as nuk fal cilindo që kryen akte të dhunshme ndaj cilitdo qytetar, e sidomos tradita shqiptare e dënon fort atë që merret me gra!
Kush ka frikë nga Aleanca dhe fuqia e saj?!
LSDM-ja është një parti reformatore dhe duke qënë se mban flamurin e demokracisë nuk dua të besoj që është kthyer në një parti diktatore që është mërzitur që Aleanca për Shqiptarët nuk ra dakort të rrinte në pushtet!
Partia tjetër që pranoi për disatën herë të qëndrojë në pushtet është BDI-ja!
Thua është BDI-ja ajo që nuk duron dot rritjen e fuqisë së Aleancës?!
Unë politikisht e kuptoj pakënaqësinë por nuk dua të besoj që kjo parti e cila synon të mirën e shqiptarëve të kërcënojë shqiptarë vetëm sepse nuk janë dakort me të!
Të mendosh se sa njerëz të ndershëm kanë besuar te kjo parti që tashmë po braktiset nga të gjithë?! Sidoqoftë prezumimi i pafajsisë më bën të toleroj çdo insinuatë!
E dënoj sulmin si akt dhe kërkoj me insistim që ligji të bëhet i zgjuar dhe t’a zgjidhë këtë çështje, në mënyrë që mos të ketë përshkallzime të situatës!
Jam krenar për z.Remzi Memedi dhe për të 3400 anëtarët e ekipit të tij, të cilët me burrëri dhe dinjitet po presin ligjin të reagojë, sepse janë kërçovarë, sepse janë njerëz trima e bujarë…
Më beso Zaev, më mirë dy banditë të dënuar se sa 10 mijë kërçovarë të zemëruar të Aleancës!”, ka shkruar Taravari.