Ekspertët hedhin dyshime mbi kërkesën e Prokurorisë Themelore të Kumanovës për rikualifikim të veprës së të dyshuarit Boban Iliç nga “vrasje” në “aksident trafiku me pasojë vdekjen”. Sipas tyre, Rregullorja e Prokurorisë Publike për organizim të brendshëm mundëson që një organ Themelor i akuzës të kërkojë mendim nga organi i instancës më të lartë, por jo në rastin konkret. Sipas juristit Bekim Kadriu, dyshimet ndaj prokurorit të lëndës rriten edhe më shumë nga fakti se i njëjtë vetëm pas dy viteve kërkon rikualifikim të veprës.
Pse i duhet Prokurorit themelor të kalojnë dy vite që të futet në dilema juridike dhe të kërkojë ndihmë nga instanca më të larta dhe të kërkojë për çfarë vepre bëhet fjalë. Pse prokurorja e rastit nuk mund të bëj vetë kualifikimin e një vepër, gjë që për një juristë nuk është e komplikuar. Nuk flas për peshën e veprës por për praktikën ligjore se si bëhet kualifikimi dhe rikualifikimi. Për një vepër të këtillë, nëse gjithmonë shkoni në instanca më të larta, atëherë neve duhet t’i shfuqizojmë Prokurorisë Themelore – shtron pyetjet juristi Bekim Kadriu.
Duke u bazuar në gjendjen faktike, ish gjykatësi Sejfulla Osmani vlerëson se në rastin konkret rikualifikimi nuk ka bazë nga që aksidentet e komunikacionit nuk janë vepra me paramendim./ALSATM