Komuna e Çairit sot ka injoruat thirrjet e gazetarit të Almakos për të sqaruar se pse vetëm në territorin e kësaj komune lejohet parkimi i makinave nëpër bulevardet, të cilat pastaj shkaktojnë kaos në komunikacion. Kryetari Visar Ganiu dhe zëdhënësi i komunës, Kushtrim Alla i kanë injoruar pyetjet e Almakos të dërguara përmes postës elektronike dhe mesazheve në celular për të sqaruar se pse vetëm në komunën e vetme me shumicë shqiptar në kryeqytet lejohet parkimi i makinave ne bulevarde, e cila është e dënueshme me ligj sepse pengon qarkullimin të papenguar të trafikut. Ganiu nuk ka qenë i kapshëm në celular, ndërsa Alla ka injoruar thirrjet telefonike, njofton Almakos.
Kryetari i Çairit, Visar Ganiu gjatë fushatës zgjedhore u ka premtuar qytetarëve të kësaj komune se nëse do të fitonte zgjedhjet do të angazhohet për zgjidhjen e problemit me mungesën e vend-parkimeve për makinat në territorin e komunës dhe do të heq makinat e parkuara nëpër trotuare, me qëllim që këmbësorët të mund të lëvizin lirshëm.
“Parkingjet janë zgjidhje, sepse parkimi i veturave po zë edhe trotuaret. Jemi në hulumtim për të gjetur parcela tjera ndërsa për parkingje në kate, tashmë kemi lokacione të caktuara. Do të ketë edhe lëvizje një-kahëshe për të lehtësuar trafikun në shumë lagje të Çairit. Kemi paraparë gjithashtu 15 rreth-rrotullime, si zgjedhje më e mirë dhe më efikase për zbutjen e lëvizjes në komunikacionin e Çairit”, kishte premtuar Ganiu në emisionin debativ të TVM2, të mbajtur para zgjedhjeve lokale.
Nga Ministria e punëve të brendshme thonë se Njësia për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor në Sektorin për Punë të Brendshme-Shkup vazhdimisht merr masa kundër shoferëve që parkojnë makinat e tyre nëpër vende të papërshtatshme në të gjithë territorin e Qytetit të Shkupit.
“Ju informojmë se Njësia për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor të Sektorit për Punë të Brendshme-Shkup ka lëshuar urdhërpagesat e detyrueshme për 1310 shoferë dhe me mjetin e merimangës speciale ka hequr 660 automjete për 2017 në rrugët e “Xhon Kennedi”, “Cvetan Dimov” dhe “Kemal Sejfula”, thonë nga MPB, për Almakos.
Megjithatë policia nuk thonë se bulevardet në komunën e Çairit janë të lira për qarkullim. Për qytetarët nuk është e rëndësishme sa shofer të papërgjegjshëm janë gjobitur nga policia, por nëse bulevardet dhe rrugët Çairit janë të lira për trafik.
Mevludin Imeri
Almakos.com
*Foto Ilustrim*