Vazhdimi i debatit për ligjin për gjuhët, të hënën do të jetë në rendin e ditës të seancës plenare në Parlament, informoi sot për gazetarët, kryeparlamentari Talat Xhaferi, përcjell Almakos.
Deputetët nga VMRO-DPMNE nuk morën pjesë në koordinim.
VMRO i bëri thirrje qeverisë që ta tërheqë ligjin, duke e cilësuar atë si jokushtetuese.
‘Ne kërkojmë që të formohen grupe punuese të përfaqësuesve të të gjitha grupeve parlamentare në Parlament, ekspert dhe publik profesional dhe ata duhet të punojnë në përcaktimin e nevojës për miratimin e një ligji të tillë dhe heqjen e elementeve jokushtetuese të ligjit për gjuhët”, tha sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE Igor Janushev në konferencë shtypi.
Qeveria reagoi pasditen e djeshme, duke deklaruar se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve ishte në përputhje me Kushtetutën, se është votuar me procedurë demokratike dhe parlamentare dhe se është në interes të të gjithë qytetarëve dhe brenda konceptit të një shoqërie të barabartë për të gjithë.
Ligji u miratua më 11 janar dhe Presidenti Gjorge Ivanov nuk e nënshkroi dekretin. Kryetari i Kuvendit Xhaferi, sipas Kushtetutës dhe rregullores së punës, është i detyruar ta vendos Ligjin në seancë plenare brenda një muaji, jo më vonë se 11 shkurti. Për t’u miratuar, 61 deputet duhet të votojnë për ligjin./Almakos