Propozim zgjidhja mbi emrin do të përfshijë termin “Maqedonia”, deklaroi ndërmjetsuesi i OKB-së Matthew Nimetz sot përpara raund të ri të bisedimeve në Nju-Jork me përfaqësuesit e Maqedonisë dhe Greqisë, Vasko Naumovski dhe Adamantios Vasilakis, përcjell Almakos.
“Termi “Maqedoni” do të jetë pjesë e propozim zgjidhjes për emrin pasi që atë e kanë pranuar mbi 100 vende të botës”, deklaroi Nimic, për televizionin grek “TV Antena”. Ai theksoi se emri me të cilën njihet në OKB “Ish Republika Jugosllave Maqedonia”, gjegjësisht termi Maqedoni është pjesë e emrit, ndërkaq Greqia e ka pranuar me atë emër.
Nimetz theksoi se nuk ka zgjidhje të kënaqshme për emrin, se mosmarrëveshja zgjat shumë kohë dhe se vonesa e mëtejshme do ta bënte problemin edhe më të vështirë për t’u zgjidhur.
Ndërmjetësi shpreson të gjejë një zgjidhje që do të kënaqë ambiciet e Athinës dhe të Shkupit. Ai thotë se nga Greqia dominon pikëpamja se pas kapërcimit të krizës ekonomike, vendi duhet të luajë një rol më të rëndësishëm në rajon. Një mënyrë është që Greqia të zgjidhë problemin me fqinjin e saj verior, tha Nimetz.
Sipas tij, për Shkup, disa nga idetë në të kaluarën nuk ishin të kënaqshme për ta, por që ka ardhur koha për të zgjidhur këtë çështje dhe se vendi duhet të vazhdojë në rrugën e saj euroatlantike./Almakos