Për shkak të gjyqësorit ende të pareformuar në Maqedoni, kryeredaktori i Gazetës Lajm, Isen Saliu ka kërkuar nga kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi që të bëj apel publik deri te Bashkimi Demokratik për Integrim dhe deri te kryetari i saj, Ali Ahmeti, të tërheqin paditë kundër Gazetës Lajm.
Një kërkesë të tillë Saliu e bëri mbrëmë në emisionin “Otvoreno” në TV 24, ku mysafir përballë analistëve ishte kryetari Parlamentit Talat Xhaferi.
“Tani më as VMRO-ja nuk i padit gazetarët dhe mediumet. Vetëm BDI-ja e bën një gjë të tillë edhe pse thoni se ndërkohë jeni reformuar”, tha Saliu.
Mirëpo edhe pse paraprakisht Xhaferi u lavdërua se Parlamenti është shtëpia e demokracisë në Maqedoni, prapë se prapë refuzoi të dërgojë apel publik deri te partia e tij dhe kryetari i partisë Ali Ahmeti që t’i tërheqin paditë kundër Gazetës Lajm dhe kryeredaktorit Saliu, shkruan Almakos në faqen e vetë në facebook.
Xhaferi madje nuk ishte i informuar për ekzistimin e këtyre padive edhe pse ato përmenden edhe në raportin vjetor të Stejt Departamentit amerikan për vitin 2016, transmeton Fokus.
Këtë pjesë të debatit mes Saliut dhe Xhaferit mund ta përcillni në videon më poshtë nga 1 orë e 23 minuta: