Kryeministri Zoran Zaev me takimin e djeshëm me ish-kryetarin e Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, implikohet në mënyrë të drejtëpërdrejtë në konfliktin në këtë parti duke i dhënë legjitimitet Kasamit të shkarkuar, I cili nuk kontrollon as partinë e as deputetët e kësaj partie në Parlament. Ky gjest i Kryeministrit mund të interpretohet si përpjekje e pushtetit për të përçarë partinë Besa.
Zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski mohon implikimin e qeverisë në përçarjet në Besa dhe thotë se qeveria nuk ndërhyn në punët statutore apo aspekte të tjera juridike të punës së subjekteve politike.
“Takimi mes kryeministtrit Zaev dhe zotit Kasami ka qenë i planifikuar më herët dhe në këtë takim u fol për realizimin e reformave dhe përkrahjen e tyre në Kuvendin e Maqedonisë”- tha zëdhënësi Boshnjakovski.
Të njejtin justifikim sikurse qeveria lidhur me takimin Zaev-Kasami ka dhënë edhe ish kryetari i Besës. Kasami ka thënë se takimi është përcaktuar më herët dhe se kryeministri nuk ka përse të përzihet në çështjet e brendshme të Besës.
“Takimi i sotëm ishte në vazhdën e takimeve dhe komunikimit të rregullt që kemi me Kryeministrin. Lëvizja Besa nuk kalkulon se a do të jetë pjesë e Qeverisë apo jo, pasi me rëndësi për ne janë reformat”-ka thënë Kasami pas takimit.
Ushtuesi i detyrës kryetar i Lëvizjes Besa Nexhbedin Kahramani takimin e kryeministrit me ish kryetarin e Besës e ka quajtur të panevojshëm sepse Kasami prej 6 janarit më nuk mund ta përfaqësojë partinë.
“Ndoshta kanë biseduar për reformat që duhet të zbatohen në Maqedoni. Me siguri takimi ka pasur të bëjë edhe më atë që unë deklarova dje se kam pasur kërcënim nga disa persona që i kam paraqitur në polici”-thotë Kahramani.
Sipas tij, Kasami nuk ka mandat të bisedojë për përfshirjen eventuale të Besës në qeveri para se të mbahet kongresi i partisë.
Kasami është shkarkuar nga Kuvendi i Lëvizjes Besa dhe për ushtrues detyre të kryetarit ka emëruar Nexhbedin Kahremani. Grupi parlamentar i Besës është besnik ndaj kryetarit të përkohshëm deri sa të zgjidhet kryetari i ri në Kongres, I cili pritet të mbahet së shpejti.
Përgatiti: Evi Shkopi
Montimi: Evi Shkopi
Kameraman Dejan Nedelkovski
Pamje ( Alsat M)
Almakos.com