Komuna e Çairit ka përpiluar një listë të gjatë të projekteve që pritet të finansohen nga buxhetin e këtij viti. Megjithatë Ministria e Financave ende nuk e ka aprovuar shumën e buxhetit.
Zëdhënësi i komunës së Çairit, Kushtrim Alla për Almakos thotë se prioritet për vitin 2018 është përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe asfaltimi i rrugëve.
“Ndërtimi i bibliotekës së re në rr. Xhon Kenedi, Qendra Rinore në lagjen Seravë dhe ndërtimi i dy garazheve në kate”, tha Alla për Almakos.
Ai shton se këto projekte janë parapara në programin parazgjedhor të kryetarit të Komunës së Çairit Visar Ganiu.
“Po ashtu, prioritet i komunës është edhe mirëmbajtja e rregullt e ndriçimit publik, renovimi i objekteve shkollore, vendosja e ulëseve të reja dhe shportave për mbeturina”, deklaroi Alla.
Miratimi i buxhetit për vitin 2018 në komunën e Çairit ishte bërë më 28 dhjetor 2017 që njëherit ishte edhe mbledhja e fundit e këshillit të komunës për vitin 2017. Në mbledhje morën pjesë gjithsej 26 këshilltarë nga të cilët 16 ishin pro dhe 10 kundër dhe asnjë i përmbajtur, vlera e buxhetit për vitin 2018 në komunën e Çairit është 1.345.000.000 denarë.
Mevludin Imeri
Almakos.com