Edhe përkundër asaj që tashmë dy ditë rrjadhazi ajri i ndotur ka arritur deri 600 mikrogram në metër kub, Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapsinor si dhe Qyteti i Shkupit ende nuk kanë ndonjë qëndrim lidhur me implementimin e masave të propozuara nga Qeveria, në rast të kalimit të koncentrimit të grimcave mbi 200 mikrogram. Dy ditët e para të këtij fillimviti, qytetarët e Shkupit kanë thithur ajër shumë të ndotur. Vlerat më të larta të grimcave PM10, gjatë ditës së sotme janë matur në Lisiçe, me 629 mikrogram.
Kurse një ditë më parë, koncentrimet e grimcave PM 10 kanë lëvizur prej 101 deri në 352, në Gazi Babë prej 110 deri 418, në Karposh prej 107 deri 447, në Lisiçe prej 161 deri në 556 dhe në Rektorat prej 125 deri në 415 mikrogram në metër kub. Edhe gjatë natës, ndotja gjithashtu ka qenë e lartë. Stacionet matëse tregojnë koncentrime të larat të grimcave PM10, në Qendër prej 96 deri në 205, Gazi Babë prej 113 deri në 522, Karposh prej 97 deri në 349, Lisiçe prej 206 deri në 629 dhe në Rektorat 167 deri në 468 mikrogram për metër kub.
Nga Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, thonë se është e nevojshme që gjithsej 4 ditë rradhazi koncentrimi i grimcave të ajrit të tejkalojë të lejuarën, në mënyrë që Ministria të shpallë gjendje alarmante, në këtë rast zbatim të masave të propozuara nga Qeveria.
MINISTRIA E AMBIENTIT JETËSOR DHE PLANIFIKIMIT HAPËSINOR
“Sipas aktit nënligjor që përcakton kohën kur shpallet gjendja alarmante, nëse kemi dy ditë rradhazi vlerë të tejkaluar, dmth mbi 200 miligram, atëherë Ministria informon qytetin përkatës, në këtë rast Qytetin e Shkupit dhe nëse edhe dy ditët e tjera rradhazi vazhdon situatë e njëjtë, atëherë Ministria shpall gjendje alarmante”.
Në anën tjetër, Qyteti i Shkupit pret të dhëna zyrtare nga Ministrin e Ambientit Jetësor, në bazë të të cilave duhet të marrin vendim të mëtutjeshëm.
QYTETI I SHKUPIT
“Ne qëndrojmë pas masave të propozuara, megjithatë duhet bashkëpunim edhe me Ministrinë e Ambientit Jetësor. Është duke u biseduar për të njejtën, në momentin që do të ketë ndonjë vendim, opinioni do të jetë i informuar”.
Në rast të tejkalimit të pragut të grimcave PM10- grimcave në dy ditë të njëpasnjëshme me koncentrime mesditore mbi 100 mikrogram në metër kub, Qeveria dhe Qyteti i Shkupit shpallin masa për mbrojtje nga ndotja e ajrit si shfrytëzim i transportit publik pa pagesë, mos shfrytëzim i automjeteve pa nevojë, kufizim i lëvizjeve dhe aktiviteteve në ambient të hapur të kategorisë më të rrezikuar siç janë fëmijët, personat e moshuar, të sëmurë me sëmundje kronike të mushkërive dhe të zemrës, si dhe të sëmurët nga astma, por edhe për personat të cilët angazhimin e tyre profesional e ekspozojnë në ambient të hapur.