Kryeministri, Zoran Zaev, konsideron se ka klimë pozitive dhe gatishmëri nga të dyja palët. Ai tha se gjatë festave të fundvitit ka qëndruar në Selanik, ku ka diskutuar këto çështje me kryeministrin dhe shefin e Diplomacisë greke.
“Republika e Maqedonisë është e vendosur që në pjesën e parë të vitit të depërtojë në zgjidhjen e problemit me emrin që Greqia e ka me emrin tonë kushtetues. Unë jam i bindur se mund të gjejmë zgjidhje. Gjithsesi se për këtë duhet gatishmëri edhe nga pala tjetër. Më vjen mirë që optimizëm ka edhe në anën tjetër. Realisht, pata ndjesinë të jem në Selanik për të pritur Vitit e Ri dhe për të përcjellë porosi pozitive deri te qytetarët e Greqisë. Më vjen mirë që ministri grek i punëve të jashtme dy herë më telefonoi gjatë kohës që isha në Greqi, më telefonoi edhe kryeministri Cipras. Patëm biseda pozitive dhe e gjithë kjo është një konfirmim se ka shanse për të gjetur zgjidhje për këtë problem të ndjeshëm”,– deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
Zaev është optimist se gjatë vitit 2018 Maqedonia do të rimarrë ftesën për anëtarësim në NATO dhe me gjasë do të fillojë bisedimet për anëtarësim në BE. Avancimi në planin e integrimit euroatlantik pritet të ndikojë dukshëm edhe në ekonominë e vendit dhe standardin jetësor të qytetarëve.