Kompanitë e sigurimeve do ti propozojnë në janar të vitit 2018, Ministrisë së Financave që të ulet numri i veturave të paregjistruara në Maqedoni në 2 për qind, ngjashëm me standardet evropiane, shkruan gazeta KOHA.
Aktualisht, sipas statistikës së Ministrisë së Punëve të Brendshme, në vitin 2016 ka pasur 407.089 vetura të paregjistruara , prej të cilave vetëm në Shkup kanë qenë 158.178 vetura pa regjistrim. Sipas Byrosë Nacionale për Sigurim, problemi me veturat që vonohen me regjistrimin dhe nuk janë të siguruara është serioze dhe në kundërshtim me direktivat evropiane, që parashikojnë që numri i veturave që nga shkaqet e ndryshme në afat ligjor prej 30 ditësh të mund të ç’lajmërohen, të jetë një deri 2 për qind. Nga ana tjetër, sipas dispozitave ligjore, çdo veturë qoftë edhe një ditë pas skadimit të regjistrimit të veturës, trajtohet si e paregjistruara dhe dëmet e shkaktuara nga një veturë e tillë janë në barrë të Fondit garantues të Byrosë Kombëtare për Sigurim, ose në barrën e fondeve të kompanive të sigurimit.
Kompanitë e sigurimeve vlerësojnë se është rritur dukshëm numri i veturave të pasiguruara me anulim të kohës për sigurim dhe regjistrim, apo të ashtuquajturës “ blerje të kohës”. Në bazë të kësaj, të dhënat e Byrosë Kombëtare për Sigurim tregojnë se në vitin 2016 në raport me vitin 2015, nuk janë zgjatur ose janë të pasiguruara mbi 45 mijë vetura , traktorë dhe të ngjashëm, që bien në kategorinë e veturave motorike dhe kyçëse të cilat në çdo moment janë në rrugë. Analizat më tej tregojnë se në mesatare – në vit, nga ana e Fondit garantues paguhen mbi 2 milionë euro dëme të shkaktuara nga veturat e pasiguruara dhe të panjohura.
“Nëpër rrugët e Maqedonisë për çdo ditë qarkullojnë një numër i madh i veturave që nuk janë të regjistruara dhe të siguruara jo vetëm vendore, por edhe të huaja që paraqet një problem të ndërlikuar të biznesit, por edhe institucional. Shteti nuk i grumbullon tatimet dhe kompensimet e tjera, një numër i madh i veturave qarkullojnë një kohë të gjatë pa kontroll teknik që direkt ndikon edhe në sigurinë e pjesëmarrësve në trafik, si dhe ndaj industrisë së sigurimeve që paguan dëmet e veturave të pasiguruara dhe paregjistruara përmes Fondit garantues”, thotë për agjencinë MIA, drejtori i Byrosë Kombëtare të Sigurimeve, Trajçe Llatinovski.
Sipas tij, të gjitha dëmet e shkaktuara nga veturat e paregjistruara paguhen nga ana e kompanive të sigurimeve që njëherazi nuk ju paguhet asnjë kompensim apo prim-sigurim nga pronarët e këtyre veturave. Latinovski thotë se në dhjetë vitet e kaluara, nga ana e Fondit garantues janë paguar mbi 25 milionë euro e që paraqet harxhim të madh për kompanitë e sigurimeve. Nga Byroja e Sigurimeve shprehen se zgjidhja e problemit me veturat që nuk sigurohen duhet kërkuar në standardet e Bankës Botërore për uljen e numrit të veturave që nuk sigurohen e që duhet ti afrohet standardeve evropiane prej 1 deri 2 për qind, duke i sjellë në pozitë të barabartë të gjitha veturat e tjera që e kanë obligim ligjor që të sigurojnë për çdo vit gjatë regjistrimit veturat e tyre.
Ndryshe, në bazë të Ligjit për siguri në trafik , veturat që nuk janë të regjistruara dhe të siguruara, duhet të paguajnë gjobë pre 500 euro në kundërvlerën e denarit për pronarin e veturës dhe 100 euro për vozitësin që drejton veturën e paregjistruar dhe të pasiguruar. Në pesë vitet e fundit janë shqiptuar 179.423 masa parandaluese represive kundër vozitësve për shkak të përdorimit të veturave të paregjistruara. Dënime janë shqiptuar në 2254 raste.