Mungesa e pedagogëve dhe psikologëve në shkolla, që rastësisht ose jo janë me numër të madh të nxënësve jomaqedonas, nuk është as problem i ri dhe as i pa njohur për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, shkruan gazeta KOHA. Madje, ky problem është evidentuar shumë qartë edhe në Strategjinë Gjithëpërfshirëse të Arsimit, për periudhën 2018-2025 dhe ku është nënvizuar edhe fakti i nuancave gjuhësore, pra që problemi është prezent në raport me gjuhën në të cilën zhvillohet mësimi.
Pedagogët, psikologët apo sociologët me theks të veçantë mungojnë në shkollat e mesme. Kjo edhe për shkak të historikut, në të cilin është zhvilluar arsimi i mesëm në gjuhën shqipe gjatë 25 viteve të fundit. Mungesa në radhë të parë e paraleleve shqipe, kishte bërë që në të kaluarën shërbimet profesionale dhe administrative të konsiderohen si vende të rezervuara për punësimin e kuadrove maqedonas, me pretekstin se edhe numri më i madh i paraleleve zhvillonin mësimin në gjuhën maqedonase.
Mirëpo, me shtimin e paraleleve në gjuhën shqipe, MASH punoi shumë pak për të ndryshuar përbërjen gjuhësore të shërbimeve profesionale të shkollave. Madje, nuk është kujdesuar të sigurojë financimi e vendeve të punës për pedagogë dhe psikologë as në shkollat e themeluara së voni. Gjimnazi “7 Marsi” në Komunën e Tetovës është vetëm, njëri prej tyre, pasi me shërbime të pakompletuara profesionale janë edhe Gjimnazi “Saraj” në Komunën me të njëjtin emër, Gjimnazi “Rilindja” në fshatin Zhitoshë dhe shkolla të tjera të mesme që janë themeluar si subjekte të pavarura juridike. Nuk është rastësi që në Strategjinë Gjithëpërfshirëse të Arsimit (2018-2025) problem i mungesës së pedagogëve dhe psikologëve gjen një vend me rëndësi, si njëra prej 10 pikave që preokupon arsimin e mesëm. Pasi numërohen si pjesë e kësaj problematike mësimdhënësit e pa aftësuar dhe të pa trajnuar si dhe drejtorët jo neutral ndaj politikës, Strategjia vëren edhe problemin me ekipet e shërbimeve profesionale. “Shërbimet profesionale janë pamjaftueshmërish të ekipuar sipas nevojave të shkollave, për shembull sipas numrit të nxënësve apo gjuhës në të cilën zhvillojnë mësimin”, shkruhet në atë dokument, që për shtatë vitet e ardhshme duhet ti shërbejë MASH-it si udhërrëfyes për të eliminuar problemet e evidentuara paraprakisht nëpër gjimnaze, respektivisht në arsimin e mesëm të përgjithshëm.
Problemi nuk mungon as në pjesën e arsimit të mesëm profesional edhe pse për shkak të gjuhëve të ndryshme në të cilat zhvillohet mësimi edhe mund të duket pak më i kamufluar. Në shkollat e mesme profesionale të Shkupit, për shembull nuk ka as edhe një rast kur pedagogun edhe psikologu të jenë shqiptarë, pavarësisht faktit se numri më i madh i nxënësve mund të jenë shqiptarë.
“Shumica e shkollave nuk janë të ekipuar krejtësisht me shërbime profesionale dhe ndihmëse profesionale (për shembull administrator për IT, këshilltarë karriere, e të ngjashme). Sistemi për sigurimin e cilësisë në shkolla në arsimin e mesëm profesional është në fazë të hershme”, thuhet në pjesën e arsimit të mesme profesional të Strategjisë Gjithëpërfshirëse të Arsimit (2018-2025). MASH i ka vënë prioritet ndryshimit të kësaj situate, konkretisht duhet që për shtatë vitet e ardhshme do punojë në punësimin e kuadrove për plotësimin e shërbimeve profesionale. Mirëpo, ndryshimi nuk ka nis ende dhe as ka sinjale që situata do të ndryshojë së shpejti. Në të kundërt, të paktën shkollat e reja do të kishin siguruar vendimet për financimin atyre vendeve të punës për vitin shkollor 2017/2018. Por, sikurse është konfirmuar nga Komuna e Tetovës, përgjigjet për këta kërkesa nuk u kanë mbërritur ende.
I vetmi përparim që është bërë në drejtim të ekipimit pak më real të shërbimeve profesionale në të kaluarën është punësimi eventual i ndonjë pedagogu shqiptarë edhe atë pasi të jetë pensionuar pedagogu paraprak maqedonas. Në rrethana të njëjta mund të ketë ndodhur edhe punësimi i ndonjë psikologu shqiptarë në ndonjë shkollë të mesme profesionale të Shkupit, por përfaqësimi etnik i shërbimeve profesionale të shkollave bazuar në numrin e nxënësve qëndron shumë larg kërkesave reale për shërbime profesionale. Problem në vete mbetet raporti numerik. Ata që punojnë në shkolla me mësim në gjuhën maqedonase u bie të kenë dy-tri fish më pak nxënës se sa ata që punojnë në shkolla me mësim në gjuhën shqipe. Shkollat bashkëjetojnë me këtë problem tani e 25 vite.