Fondacioni Albiz organizoi sot një takim me gazetarët, në të cilën drejtori ekzekutiv i këtij fondacioni, Ilir Idrizi, informoi më gjërësisht për punën dhe misionin e tyre, projektet edukativo-arsimore. Idrizi, një theks të veçant i vuri ndarjes së bursave që ky fondacion ndan çdo vit për nxënësit dhe studentët. Sipas tij, ndarja e këtyre bursave që ndahen çdo vit, 40 për nxënësit e dalluar dhe 160 për studentët, është mbështetja dhe stimulimi i tyre përmes bursave.
ILIR IDRIZI, DREJTOR EKZEKUTIV I FONDACIONIT ALBIZ
“Me anë të këtij programi Fondacioni Albiz ndikon në rritjen e cilësisë arsimore ku këta nxënës dhe studentë do të i shndërrojnë rezultatet e tyre të shkëlqyera në kontribut për zhvillimin e shoqërisë. Në parim bursa është mbështetje financiare për grupet e synuara, mirëpo ky program të cilin e implementon Fondacioni Albiz është një mundësi dhe motiv shtesë për nxënësit dhe studentët drejt zhvillimit të tyre, ngritjes individuale dhe profesionale në sferat të cilat ata mësojnë apo studiojnë”.
Idrizi foli edhe për projektet edukativo-arsimore që mbështet ky fondacion. Këtu, ai ka përmendur financimin e veprave të ndryshme, hulumtimeve shkencore dhe revistave historike,për të cilën Albiz shpall çdo vit konkurs.
ILIR IDRIZI, DREJTOR EKZEKUTIV I FONDACIONIT ALBIZ
“Mbështetja financiare ju dedikohet veprave nga krijimtaria letrare, gjuhësore, kulturore dhe historike. Përkthimeve të veprave kulmore nga gjuhë të huaja. Studimeve ekonomike, sociale dhe humane dhe hulumtime nga sfera e Teknologjisë së Komunikimit dhe Informacionit”.
Këtë vit, konkursi është i hapur deri më 28 shkurt, ndërsa për këtë projekt janë ndarë 500 mijë denarë.