Qeveria në seancën e fundit kaloi 2 propozim ligjet për kontroll të brendshëm të policisë dhe për ndjekjen e telekomunikimeve, të përpunuara nga grup ekspertësh të brendshëm dhe ekspertët e Komisionit Evropian.
Nga MPB thonë se me propozimet e fundit për reformim të policisë sekrete, parashikohet themelimi i një agjencie të re të pavarur ekspertësh, që do të quhej Agjencia Teknike Operative (ATE).
Në të do të vendosen pajisjet e përgjimeve, ndërsa të punësuarit do të punojnë në procesuimin e kërkesave të ardhura nga klientët për përgjim dhe të shtypin butonin për përgjim. Risi në këtë drejtim është që asnjë prej të punësuarve të kësaj agjencie nuk do të ketë qasje teknike për të ndërhyrë në sistem , për të mësuar përmbajtjen e përgjimeve ose të dijë emrat e klientëve. Për ta është e mjaftueshme të kenë lejet e nevojshme gjyqësore që të mund të realizohet përgjimi.
Sistemi i ri parashikon që materialet e përgjuara të shkojnë prej ATE-së direkt tek klienti. Materialet e përgjuara do të arkivohen në gjykatë. Deri në këto momente nga MPB nuk tregojnë se sa do të jetë shuma e përgjithshme që do të nevojitet për themelimin e kësaj agjencie, as sa persona do të punësohen në të dhe ku do të vendosen aparaturat e saj.
Ajo që dihet është se nuk do të jetë në oborrin e MPB-së as të DSK-së, por në ndonjë lokacion tjetër. Kjo agjenci do të ketë drejtor dhe zëvendësdrejtor, të cilët do të përzgjidhen në Kuvend me 2 të 3 e votave në bazë të suksesit të treguar në këtë lëmi. Të dy propozim ligjet për policinë sekrete do të dalin para deputetëve pas festave të fundvitit.
Është parashikuar që kjo agjenci do ta kontrollojnë ekspertët e brendshëm, të jashtëm dhe përfaqësues të sektorit civil. Metodat e reja të përgjimeve priten të zbatohen prej muajin nëntor të vitit të ardhshëm, ndërsa deri atëherë do të punohet sipas sistemit të deritanishëm.