Qyteti i Shkupit ndau mirënjohje për zjarrfikësin, policin dhe dhuruesin e gjakut më të mirë në shenjë respekti për humanitetin e treguar.
Zjarrfikës më i mirë u zgjodh Xhevat Ibrahimi, polic më i mirë Zoran Pavlovski, ndërsa në kategorinë e dhuruesit më të mirë të gjakut mirënjohje mori, Zoran Stojmenovski.
“Humanizmi është vlerë shoqërore, ajo është pjesë e parimeve tona, e etikës tonë. Shkupi është qytet i solidaritetit dhe si i tillë kultivon traditat e humanizmit dhe solidaritetit ndaj të gjithëve që kanë nevojë për ndihmë”,- deklaroi nënkryetari i Qytetit të Shkupit, Enver Maliqi.
Si një ndër intervenimet më të rënda të zjarrfikësve për këtë vit, zjarrfikësi më i mirë, Xhevat Ibrahimi, përmendi zjarrin në Vodno, ku sipas tij kanë qenë në rrezik jo vetëm qytetarët por edhe zjarrfikësit.
“Në Vodno, ku ishte rrezik i madh për ata personat, por edhe për ne si zjarrfikës, sepse duhej të zbresim poshtë dhe dheu rrëshqiste, mirëpo ia dolëm mbanë, i shpëtuam ata”,- tha zjarrfikësi, Xhevat Ibrahimi.
Sipas Qytetit të Shkupit, këto çmime përveç motivacionit do të shërbejnë edhe si shembull i mirë për ambientin në të cilin jetojmë.
ERSAN PAJAZITI