Libri i Profesorit të Universitetit të Tetovës, Milaim Fetait, që jep një analizë shumëdimensionale për Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2001, është promovuar këtë të premte në Tiranë, në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Mes historianëve dhe përfaqësuesve të politikës dhe shoqërisë civile prezantimi i librit u bë nga vetë autori dhe përmes një video klipi të shkurtër, që u përcoll me interesim nga të pranishmit.
Autori Fetai Marrëveshjen e Ohrit e trajton si një ndër çështjet më të rëndësishme të historisë më të re të Maqedonisë, që paraqet një gur-themel, një ngjarje historike me rëndësi të jashtëzakonshme, që ka hapur një kapitull të ri në zhvillimin e Maqedonisë.
“Kjo Marrëveshje i ka vendosur bazat për arritjen e barazisë politiko-juridike të shqiptarëve dhe bashkësive tjera në Maqedoni dhe e ka përshpejtuar rrugëtimin Euroatlantik të saj”, ka theksuar autori gjatë promovimit të librit.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të 20-vjetorit të organizatës “Kombi Shqiptar, Imazhi Im” . Në po të njëjtin vend, profesori në UT Milaim Fetai vitin e kaluar u vlerësua me çmimin “Imazhi Kombëtar”, me motivacionin “Për kontributin e madh që ka dhënë në rigjallërimin e mediave shqiptare në Maqedoni”.
Profesor Milaim Fetai i dhuroi Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë disa kopje të librit “Marrëveshja e Ohrit, bazë e demokratizimit dhe e integrimit Euroatlantik të Maqedonisë”. Në këtë mënyrë, studimi i tij do t’u shërbejë edhe studiuesve apo kërkuesve shkencorë nga Shqipëria të cilët kanë interes për Marrëveshjen e Ohrit.