Në Selanik sot në orën 10 sipas kohës lokale greke duhet të vazhdojë gjykimi për kërkesën për ekstradimin e Goran Grujevskit dhe Nikolla Boshkovskit, pasi javën e kaluar ishte ndërprerë për shkak të skadimit të periudhës kohore të paraparë për seancën.
“Në gjykim do të dorëzohen dokumentet nga mbrojtja në pikëpamje të asaj se kërkesa për ekstradim është e pabazë, ndërsa a do të merren në pyetje ende dëshmitarë nuk e di”, deklaroi për MIA-n avokati i të akuzuarve, Petar Vasilev. Ai shtoi se duhet të merret edhe vendimi dhe sipas ligjeve greke ai shpallet menjëherë, ndërsa më së voni në një afat prej 24 orëve.
“Ne presin që gjykata ta refuzojë kërkesën për ekstradim të Grujevskit dhe Boshkovskit”, tha Vasilev. Për ekstradim në Greqi, vendos këshilli, më shpesh në përbërje treanëtarësh, dy gjykatës dhe një prokuror, në seancë publike, përveç nëse nuk dorëzohet kërkesë speciale, marrja në pyetje të
mbahet me dyer të mbyllura. Pikërisht kështu ishte rasti me ish shefat në Drejtorinë për Sigurim dhe Kundërzbulim. Njëri nga avokatët në seancën e kaluar ka kërkuar që gjykimi të jetë i mbyllur për opinionin, për shkak të mbrojtjes së personave për të cilët kërkohet ekstradim.
Avokati Kostas Haxijoanu këtë kërkesë e ka ngritur me pohimin se Grujevski dhe Boshkovski në Maqedoni janë të ekspozuar në rrezik nga kërcënime dhe ndjekje. Pasi më 29 nëntor ishte shtyrë seanca e parë për ekstradim, pas kërkesës dhe dokumentacionit të dërguar nga ana e Maqedonisë, më 13 dhjetor në rolin e dëshmitarit të parë, Këshilli i Gjykatësve e ka dëgjuar deklaratën e avokatit të të akuzuarve, Petar Vasilev. Përveç ekstradimit, Grujevski dhe Boshkovski kanë edhe dy procese të tjera në Greqi, të pavarura nga njëri-tjetri. Njëri është për falsifikim të pasaportave me të cilat u kapën në aeroportin e Selanikut. Gjykimi pas tre shtyrjeve do të mbahet më 17 maj të vitit të ardhshëm. Rasti tjetër është pas dorëzimit të kërkesës për azil më 29 nëntor. Grujevski dhe Boshkovski ndërkohë mbesin në paraburgim në afërsi të Selanikut. Grujevski dhe Boshkovski, të cilët janë të akuzuar nga PSP për lëndën “Fortesa dhe Target”, u arrestuan nga policia greke në aeroportin në Selanik më 18 tetor të këtij viti, gjatë tentimit me pasaporta bullgare të shkojnë me aeroplan për në Budapest.