Kandidati i BDI-së për kryetar të Komunës së Strugës, Ramiz Merko i cili edhe fitoi zgjedhjet lokale që u mbajtën kohë më parë në Maqedoni, premtoi shumë gjëra për këtë komunë, por duke mos precizuar shifra dhe data se kur të njëjtat do të realizohen.
Portalb.mk ju sjell premtimet kryesore të tij, që mos të harrohet fjala e dhënë.
Merko gjithashtu nuk u paraqit në debatin parazgjedhor Depatpernime në Strugë në Portalb, edhe pse i njëjti kishte konfirmuar pjesëmarrjen.
Nga programi i tij me të cilin ai fitoi zgjedhjet lokale si i pari i Strugës, ai tha se “programi përmban një arsim më kualitativ, urbanizëm dhe infrastrukturë më të mirë, zhvillim ekonomik më të suksesshëm, shëndetësi dhe mirëqenie sociale, kulturë rini dhe sport, turizëm, ambient jetësor dhe sigurisht diaspora që na mungon më së shumti. Vij këtu fuqishëm për të vazhduar për një Strugë më te sigurt, për një Strugë më të zhvilluar, për një Strugë më të pastër, për një Strugë qe të gjithë e duam”.
Ndryshe, kryetari i komunës së Strugës do të ballafaqohen me shumë probleme të vjetra të cilat presin të zgjidhen me përgjegjësi.
Një ndër problemet më kryesore që kishte kjo komunë në periudhën e fundit ishte deponia e saj, e cila mori flake dhe shkaktoi shqetësim, brengosje dhe hidhërim te banorët. Ndotja e ajrit nga djegia e deponisë shkaktoi revoltë tek banorët të cilët ngritën zërin në mënyrë të ndryshme duke kërkuar përgjegjësi komunale dhe zgjidhje të menjëhershme të problemit.