Nga: Arbër Çeliku
23 vjetori i themelimit të Universitetit të Tetovës, themelimi i këtij institucioni të shenjtë për gjithë shqiptarët anembanë dhe i cili paraqet vlerën më të madhe shpirtërore për ne shqiptarët e Maqedonisë. 23 vjet më parë, 17 dhjetori i vitit 1994 shënoi një epokë të re në mbarë arealin historik shqiptar, edhe pse u shoqërua me dhimbje, përgjakje e arrestime të shumta, ngjarje këto që nuk do ta lajnë kurrë turpin e regjimit të atëhershëm maqedonas. Sot, 17 dhjetori i vitit 2017, nga njëra anë mishëron në vete amanetin, sakrificën dhe punën tonë kolektive, kurse nga ana tjetër shënon një hap të rëndësishëm në promovimin ndërkombëtar dhe global të Universitetit të Tetovës.Ajo që këto ditë u arrit në Northern Illinois University (NIU) në Chicago, si hapja e ekspozitës së historisë të Universitetit tonë dhe laureimi i rektorit, Prof. Dr. Vullnet Ahmeti Doctor Honoris Causa i Northern Illinois University, kapërcen përmasat e interesit individual dhe rrok majat e interesit të përgjithshëm kombëtar. Ajo, që u arrit së fundmi në Chicago, në sytë e mediave dhe publikut amerikan dhe të mbarë botës, ishte mënyrë më e mirë e mundshme e artikulimit të kauzës tonë kombëtare ndërkombëtarisht, që deri më sot asnjë politikan e qeveri nuk ka mundur ta arrijë. Megjithatë, krahas atyre që e kuptojnë dhe e ndiejnë këtë akt të madh dhe gëzohen, shikoj ca individë, të cilët nuk mund ta fshehin xhelozinë e tyre, që është tipar i nivelit të ulët formësues dhe njerëzor, duke dashur të injorojnë kontributin kolektiv dhe të nxjerrin në pah egoizmin e tyre të sëmurë, kinse kanë bërë punë të mëdha kombëtare, e ndërkohë këtë atribut të fituar hapekrah e kanë përdorur e keqpërdorur për qëllime të përfitimit personal dhe të ndrydhjes së shpirtit të mbarë shoqërisë.
Nëse flasim me emër të përveçëm dhe tashmë ka ardhur koha, atëherë çfarë duhet të them unë, kolegët e mi të studimeve dhe plejada e profesorëve, që jemi përballë me marrje në pyetje policore javë për javë, kemi mbajtur ligjerata edhe nën shtetrrethim dhe nën krismat e pushkëve dhe kemi punuar mbi një dekadë me një pagë simbolike?!
Çfarë duhet të them unë, që dhunshëm u largova nga puna pasi u zyrtarizua universiteti pikërisht për shkak të këtyre ziliqarëve, që kurrë nuk ua shita shpirtin dhe më izoluan edhe nga bashkëfshatarët dhe qytetarët e mi, duke më etiketuar sikur të isha njeriu më i poshtër në botë?! Çfarë mund të them unë, qyshkur u emërova dekan i Fakultetit të Filologjisë në 2010 dhe deri më sot, të gjitha asetet e mia, njoftësitë ndërkombëtare dhe imazhin tim pozitiv intelektual, i kam vënë në shërbim të Universitetit dhe shoqërisë, duke e thyer perden e izolimit, të cilët e kishin sjellë pikërisht këta faqezinj, duke e kthyer atë në një zabel të vetin?! Jo, qëllimi im nuk ka qenë personal, as nuk jam vënë në shërbim të individit, por gjithmonë kam shikuar përtej vetes, duke mposhtur çdo ndjenjë të keqe, xhelozinë dhe egoizmin, për të kontribuuar për të mirën e gjeneratave të reja dhe shoqërisë dhe do të vazhdoj edhe më intensivisht angazhimin tim në të ardhmen.
Xhelozia është vetia më gërryese e shpirtit dhe mendjes njerëzore, prandaj një orë e më shpejt duhet punuar me veten, që të arrihet paqja me veten dhe shoqërinë. Paqe me veten e vet, mund të ketë vetëm ai njeri, i cili, siç thotë populli, e bën të mirën dhe e hedh në det.
Uroj që miqve të mi amerikanë, të cilët e kanë vërejtur këtë veti tonën, pasi ma thanë se ju shqiptarët qenkeni shumë xhelozë, në të ardhmen të mund t’ua dëshmoj të kundërtën.
Urime ditëlindja e 23-të e Universitetit të Tetovës të gjithë profesorëve, studentëve, dashamirëve dhe atdhetarëve!