Logos-A kanë prezantuar dy botime mbi partinë Xhemijeti në ditën e përvjetorit të saj të 98-të. Partia me përcaktime kombëtare dhe me identifikim islam, ka patur rol kyç në pengimin e eksodit gjatë vitit 1919 deri në vitin 1925 respektivisht mes dy luftërave botërore kur ka vepruar si parti politike e cila bashkon shqiptarët e Maqedonisë dhe të Kosovës në periudhën e sundimit të Mbretërisë serbo-kroate dhe sllovene. Siç shpjegoi autori i dy librave Skender Asani, njëri libër i është kushtuar monografisë së partisë Xhemijeti, ndërsa tjetri libër është mbështetje faktografike e veprimit të partisë dhe madje orientimit properëndimor,
Skender Asani, drejtor i ITSHKSH-së
“E vërteta është se Xhemijeti gjatë viteve 1919-1925 ia doli me sukses që me punën e vet ta pengojë seriozisht shpërnguljen e shqiptarëve. Xhemijeti është një hallkë tjetër e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Për këtë dëshmojnë një varg dokumentesh që flasin për kontaktet që drejtuesit e kësaj organizate i kishin me çetat kaçake të kryengritësve shqiptar por edhe me çetat e Kosovës”
Sevdail Demiri nga ky institut shpjegoi rrethanat politike dhe shoqërore të kohës që kanë diktuar veprimin e Xhemijetit si një parti fetare, pasi nuk u është lejuar veprimi si një parti kombëtare shqiptare meqë u pengonte serbëve që ishin shumicë në Mbretërinë SKS.
Sevdail Demiri, ITSHKSH
“Edhe pse në programin e saj kryesisht artikulonte interesat e myslimanëve të mbetur në Mbretërinë SKS, Xhemijeti ishte një zë i fortë i popujve të shtypur, të cilët luftonin për mbijetesë. Xhemijeti ishte një bërthamëe Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Një vijimsi e Rilindjes që kishte për qëllim lirinë dhe pavarësinë e popullit”
Reforma Agrare dhe kolonizimi në trevat lindore kishin marrë hovin, dhe rrezikonin eksodin masiv të shqiptarëve. Prandaj Xhemijeti kishte shfrytëzuar mundësinë kushtetuese të Mretësisë SKS që të veprojë si parti politike islame e jo kombëtare pasi të drejtën e partisë kombëtare e kishin vetëm tre popujt që e kishin themeluar mbretërinë SKS.
Nuredin Ameti, historian
“Studimi i doktor Asanit, veprimtaria e organizatës politike Xhemijeti në trevat lindore, 1919-1925 i shoqëruar edhe me një vëllim dokumentesh që lidhen me Xhemijetin, janë përgjigja më e mirë që mund tu jepet atyre që ende vazhdojnë ta quajnë këtë organizatë njëanshëm. Pa analizuar rrethanat politike dhe shoqërore të kohës”
Pas afro pesë vitesh veprim si parti fetare, në momentin kur Xhemijeti kishte nisur të shfaqte pretendimet për mbrojtjen e interesit të kombit shqiptar në vitin 1925, në prag të zgjedhjeve parlamentare, ishte arrestuar kryetari i partisë Ferhat Draga dhe ishte bërë presion dhe terror ndaj votuesve të kësaj partie që të mos i japin më mbështetje këtij organizimi. Duke parë që tashmë janë dobësuar tej mase dhe se u ishte arrestuar edhe kryetari, pjesëtarët e partisë kishin vendosur doemos shuarjen e partisë. Paraprakisht Mbretëria u kishte mbyllur edhe gazetën “Hak” e cila ishte propaganuese e veprimatisë së Xhemijetit. Në zgjedhjet parlamentare të viti 1923, Xhemijeti kishte fituar 14 deputetë dhe kjo i kishte dhënë një legjitimitet që të parashtrojë kërkesa për mbrojtjen e interesit shqiptar por kjo vetëm se do e zbuste sadopak eksodin e shqiptarëve i cili pas shuarjes së Xhemijetit do merrte hovin. Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/