Përpjekjet për promovimin e politikës liberale në Ballkan do të ndalen nëse Maqedonisë nuk i ofrohet mundësia solide për anëtarësim në NATO dhe BE gjatë vitit të ardhshëm, shkruan e përditshmja britanike ‘The Guardian’, duke iu referuar zyrtarëve të qeverisë së re në Shkup.
Artikulli citon pjesë nga intervista me zëvendësministren dhe ministren e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, e cila ka folur mbi perspektivat euroatlantike të Maqedonisë dhe mosmarrëveshjen rreth emrit me Greqinë.
“Viti i ardhshëm është krucial. Na duhet të tregojmë se ka zhvillim, njerëzit nuk presin që gjithçka të zgjidhet nesër, por ata presim përparim për shkak se kemi ngecur për 10 vite. Ajo çka do të ndodh do të krijojë ose frymëzim ose frustrim në krejt Ballkanin”, ka thënë Shekerinska.
Ajo ka shtuar se qeveria dëshiron të gjejë një zgjidhje për mosmarrëveshjen 26-vjeçare me Greqinë në lidhje me çështjen e emrit.
“Shumica e njerëzve do të pranojnë një kompromis të drejtë dhe të arsyeshëm, për aq sa besojnë që zgjidhja hap dyert e të ardhmes dhe nuk cenon identitetin tonë, krenarinë apo veçantitë etnike. Me qëllim që të gjejmë një zgjidhje të shëndoshë, ne duhet t’i sigurojmë qytetarët tanë se qëllimet tona për anëtarësim në BE dhe NATO janë realiste”, ka thënë ministrja maqedonase për gazetën britanike.
Shekerinska ka nënvizuar se Maqedonia dëshiron një zgjidhje që nuk i dëmton interesat e Greqisë, por që nuk kërcënon as identitetin maqedonas.
“Por tangoja kërkon dy vetë, ne shpresojmë që edhe pala greke do të jetë njësoj e përkushtuar”, ka përfunduar ajo.