Sindikata e Pavarur e gazetarëve dhe punonjësve medial (SPGM) nga janari i vitit të ardhshëm do t’i mbrojë të drejtat autoriale, pavarësisht nëse bëhet fjalë për gazetar, fotoreporter apo kameraman me qëllim që puna e tij të paguhet dhe të mbrohet. Këtë në konferencën e sotme e porositi kryetarja e Sindikatës, Tamara Çausidis e cila theksoi se SPGM do të ofrojë ndihmë juridike për secilin që do t’u drejtohet, ndërsa do të ballafaqohet me shkeljen e të drejtave autoriale. “Marrja e fotografive apo teksteve autoriale si kolumna pa leje prej autorit është vepër e ndëshkueshme dhe SPGM do të ndalet pas të gjithë atyre të cilët vlerësojnë se janë të dëmtuar me ndihmë juridike dhe përfaqësimin në gjykatë”, tha Çausidis. Shkelja e të drejtave autoriale është një prej shkeljeve më të shpeshta veçanërisht në sferën onlajn dhe për këtë Çausidis veçanërisht u dërgoi apel portaleve për ta shfrytëzuar periudhën deri në janar për të gjetur modalitete për plotësimin e përmbajtjeve të tyre pa i shkelur më pas të drejtat autoriale.
Ajo veçanërisht e potencon shkeljen e të drejtës autoriale lidhur me fotografitë duke e pasur parasysh atë që ato janë produkti i vetëm medial që me krijimin e tyre e kanë statusin e veprës autoriale. Theksoi se kjo do të thotë se nuk ekziston fotografi e cila nuk është e mbrojtur me të drejtë autoriale. Respektimi i të drejtave autoriale është një prej parimeve themelore të etikës gazetareske por edhe obligim ligjor i cili ndodhet në Ligjin për të drejta autoriale por e përmban edhe Kodi penal. Çausidis tha se Sindikata nuk do të bëjë monitorim ndaj mediave dhe ku janë shkelur të drejtat autoriale, por do të presë prej gazetarëve dhe punonjësve të tjerë medial vetë të drejtohen deri tek ata nëse evidentojnë ndonjë shkelje të tillë.