Studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Tetovës, të shoqëruar nga docenti Jusuf Zejneli dhe profesori Ylber Sela, realizuan një vizitë studimore – profesionale në institucionin më të lartë juridik-ligjdhënës, Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Gjatë qëndrimit të tyre në Kuvendin e Maqedonisë, qëndron në kumtesën e UT-së, studentët u pritën në takim nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili para studentëve foli mbi specifikat e organizimit, veprimtarisë dhe punës së tërësishme të parlamentit.
Ai më tej i njoftoi studentët për procedurën ligjdhënëse, rastet e përdorimit të parimit të Badenterit, rolin e subjekteve politike dhe debatet mes tyre në frymën e miratimit të ligjeve cilësore dhe gjithashtu realizoi një debat të frytshëm me studentët, duke u mundësuar atyre të njoftohen me të gjitha çështjet e interesuara. Studentët më pas i vizituan edhe shërbimet profesionale të parlamentit, ku për së afërmi u njohën në mënyrë praktike me zhvillimin e seancave parlamentare, duke filluar nga mënyra e zgjedhjes së deputetëve, e cila përcaktohet me Kodin Zgjedhor, thirrjen e seancave, udhëheqjen e tyre, rolin e Kryetarit të Kuvendit, Nënkryetarëve, Sekretarit të Përgjithshëm dhe Institutit Parlamentar si dhe sektorëve të cilët organizohen dhe funksionojnë në kuadër të tij.
Ata, shtohet më tej në kumtesë u njohën edhe me mënyrën e realizimit të procesit të koordinimit të Kryetarit të Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare. Ata poashtu u njohën drejtpërdrejt organizimin dhe funksionimin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, si institucion i cili miraton ligjet, kushtetutën e vendit, zgjedh dhe kontrollon qeverinë si dhe shumë funksione të tjera. Në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi nga ana e profesorëve dhe studentëve, kryeparlamentarit Xhaferi, ia dhuruan botimet e Revistës Shkencore Ndërkombëtare Justicia, që botohet nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Tetovës.