Maqedonia, nëse dëshiron te hyjë në NATO dhe BE duhet patjetër t’i respektojë të drejtat dhe liritë e njeriut dhe t’i rishqyrtojë të gjitha proceset e montuara në periudhën e shkuar. Ky ka qenë mesazhi i dërguar ditën e diel nga kryetari i Forumit Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut-Seksioni për Maqedoni, Idriz Sinani, në fjalën e tij me rastin e 69 vjetorit të miratimit dhe shpalljes së Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut (10 dhjetor 1948 – 2017).
“Nënshkruese e kësaj Deklaratës Universale për të Drejtat dhe Lirit e Njeriut, është edhe Republika e Maqedonisë, nga viti 1997, ku për fat të keq për njëzet vjet, jo që e respektoi, po bëri shkelje flagrante të saj, duke shtypur qytetarët dhe përgatitur procese të montuara të ndyshme, siç janë: Rasti i Gostivari, Sopotit, Kumanovës, Brodecit, ,,Monstra”, likuidimi dhe burgosja e ushtarëve të UÇK-së, rasti i komandant Telit, Harun Aliut, Rexhail Qerimit dhe rasti eklatant i fundit në ,,Lagjja e Trimave” në Kumanovë”, ka theksuar Sinani, shkruan Gazeta Lajm.
Në vijim ju sjellim fjalën e tij të plotë , mbajtur me këtë rast:
Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, funksionon mbi parimet e mishëruara në instrumentet kryesore ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut, në të cilat përcaktohen dhe garantohen të drejtat e njeriut që janë të drejta të natyrshme e të pandashme, të patjetërsueshme dhe universale. Bazuar mbi këto parime, Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut është në funksion të përmirësimit, mbrojtjes, afirmimit dhe zbatimit të të drejtave të njeriut, parime të cilat janë të parapara edhe në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, në ligjet dhe politikat që i referohen mbrojtjes dhe zbatimit të drejtave të njeriut.
Mbrojtja, promovimi dhe zbatimi më i mirë i të drejtave të njeriut do të arrihet përmes institucioneve të shëndosha demokratike, si: gjyqësor i pavarur, sundimi i ligjit, qeveri e përgjegjshme dhe llogaridhënse, media të lira dhe shoqëri të fortë civile.
Miratimi i Deklaratës Universale për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, më 10 dhjetor 1948, shënon një nga ngjarjet më të rëndësishme pas katastrofës të Luftës së Dytë Botërore.
Nënshkruese e kësaj Deklaratës Universale për të Drejtat dhe Lirit e Njeriut, është edhe Republika e Maqedonisë, nga viti 1997, ku për fat të keq për njëzet vjet, jo që e respektoi, po bëri shkelje flagrante të saj, duke shtypur qytetarët dhe përgatitur procese të montuara të ndyshme, siç janë: Rasti i Gostivari, Sopotit, Kumanovës, Brodecit, ,,Monstra”, likuidimi dhe burgosja e ushtarëve të UÇK-së, rasti i komandant Telit, Harun Aliut, Rexhail Qerimit dhe rasti eklatant i fundit në ,,Lagjja e Trimave” në Kumanovë.
Me ardhjen e Zoran Zaevit në krye të Qeverisë së Maqedonisë dhe kontaktet që kemi pasur, arritëm që të ndriçohen të gjitha këto padrejtësi, ku disa nga këto lëndë u rikthyen në rigjykim, ndërsa në rasti ,,Monstra”, të pafajshmit u liruan nga burgu për t’u mbrojtur në liri, ku presim që të gjitha rastet si ,,Monstra” të marrin epilogun e drejtë, e të akuzuarit të lirohen nga akuzat e pa fajshme, ndërkohë që presim të dënohen fajtorët e vërtetë për montimin e këtyre rasteve.
Këto rezultate që u arritën për një kohë të shkurtër, me ardhjen e këtij Kryeministri janë të bazuara në Konventat ku garantohen liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, siç janë:
- E drejta për jetë,
- Ndalimi i torturës,
- Ndalimi i robërisë,
- Të drejtat për gjykim të drejtë,
- E drejta për respektimin e jetës private,
- Ndalimi i diskriminimit,
- Mbrojtja e pronësisë,
- Të drejtat për arsimim,
- E drejta për lëvizjen e lirë,
- Lufta kundër korrupsionit, etj.
Gjatë viteve të kaluara, në Maqedoni janë konstatuar një numër i madh i shkeljeve të drejtave dhe lirive të njeriut. Sipas të dhënave tona, në Maqedoni akoma ka institucione skajshmërisht të politizuara dhe joprofesionale, ku disa prej tyre, për shkak të partizimit të skajshëm janë vendosur në funksion të partive në pushtet.
Duke pasur parasysh nivelin e ulët të interesimit të qytetarëve në lidhje me diskriminimin, që në masë të madhe erdhi si pasojë e konfliktit të vitit 2001, në opinion pak flitet për diskriminimin në bazë të përkatësisë etnike dhe fetare, por edhe shumë rrallë lajmërohen rastet e diskriminimit dhe shkelja e të drejtave dhe lirive të qytetarëve. Nga ana tjetër, çdo qytetar ka mendimin dhe vlerësimin e vet për shkallën e diskriminimit në këto baza.
Mbrojtja e plotë e të drejtave të njeriut paraqet një qëllim për çdo politikë. Edhe përkundër rregullimit të tyre me ligj, implementimi i suksesshëm i politikës antidiskriminuese kontribuon për rritjen e vetëdijes publike rreth rrezikut shoqëror nga diskriminimi dhe dobinë që secili do ta ketë duke i respektuar të drejtat e tjetrit. Pastaj, duhet të largohen të gjitha veprimet nënçmuese të mundshme dhe margjinalizimi i grupeve të ndjeshme shoqërore dhe të sigurohet mbrojtja e plotë e tyre.
Në bazë të shqyrtimit dhe analizës së materialit të grumbulluar provues jemi dëshmitar ku Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit dha Urdhër për zbatimin e procedurës hetimore kundër 36 personave për shkak të dyshimit të bazuar për vepër të kryer penale, Rrezikim terrorist i rendit kushtetues dhe sigurisë, nga neni 313 i Kodit penal të Maqedonisë, ku më 27 prill të këtij viti, pas zgjedhjes së Talat Xhaferit si spiker shqiptar i Parlamentit të Maqedonisë, një grup i madh njerëzish, i ndihmuar nga vetë institucionet e sistemit, ku pati të përfshirë gjykatës, prokurorë, inspektorë të lartë në sigurimit shtetëror, një pjesë e policisë, si dhe deputetë të VMRO-DPMNE-së, të cilët u bënë pjesë e dhunës në Kuvend, ku lejuan shkeljen drastike të rendit kushtetues të vendit dhe me ndihmën e huliganëve (ushtarë partiakë dhe persona me dosje kriminele), i sulmuan deputetët e shumicës së re parlamentare, duke goditur edhe fizikisht deputetin Ziadin Sela dhe kryeministrin aktual, Zoran Zaev.
Dyshimi për tentim vrasje brenda institucionit ligjvënës, i mbështetur nga kreu i mëparshëm i shtetit dhe kreu i ekzekutivit të shtetit, janë vërejtja jonë më serioze që veçojmë për vitin 2017.
Ky akt i shëmtuar na shtyn të besojmë se akuzat dhe dyshimet që FNDLNJ, Seksioni për Maqedoninë, i ka bërë të ditura gjatë gjithë kohës, janë më se të vërteta. Këtu përfshijmë rastet e montuara me prapavijë politike dhe skenarë të përgatitur nga vetë institucionet dhe organet relevante të këtij shteti, por me prapavija dhe direktiva nga një grup njerëzish të cilët ligjin e kishin marrë në duar të veta duke ushtruar presion dhe kërcënime gjyqësorit, prokurorisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme, mediave, si dhe shumë institucioneve të tjera në vend.
Mbetemi me shpresë se Qeveria e re ka nxjerrë një mësim të mirë nga keqfunksionimi i politikëbërjes së deritanishme dhe se angazhimin e saj do ta fokusojë në funksionimin e shtetit ligjor dhe respektimin e ligjit. Oferta që viti i ardhshëm ta gjen Maqedoninë anëtare e plotë e NATO-s do të jetë edhe një garanci për sigurinë në vend dhe rajon.
FNDLNJ edhe më tej mbetet një thjerrëz dhe zëri i së vërtetës në mbrojtje të së drejtave dhe lirive të njeriut, duke përcjellë nga afër politikat e kësaj qeverie, si dhe funksionimin e së drejtës në këtë vend.
Komunikimi interaktiv, transparenca e veprimit, respekti i ndërsjellë, profesionalizmi dhe marrëdhëniet reciproke në pozita të barabarta janë hapi i parë për integrimet e një shoqërie.
Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, publikisht i falënderon një pjesë të mediave elektronike dhe të shtypura për punën e tyre profesionale, si dhe për informimin në kohë për aktivitetet tona. Maqedonia, nëse dëshiron te hyjë në NATO dhe BE duhet patjetër t’i respektojë të drejtat dhe liritë e njeriut dhe t’i rishqyrtojë të gjitha proceset e montuara në periudhën e shkuar.
Unë Ju them se, bota, Evropa dhe Ballkani kanë nevojë për mendje të shëndosha, mirëkuptim, dialog, paqe dhe barazi, me qëllim të krijimit të kushteve më të mira të jetesës dhe sigurisë për jetën e njerëzve.
Ju falemnderit!
Shkup, 10.12.2017 Kryetari i FNDLNJ-Maqedoni, Idriz Sinani