Bizneset që gravitojnë në fushën e Pollogut dhe që duan të eksportojnë mall në Kosovë duhet të kalojnë rreth 100 kilometra për të arritur në terminalin doganorë të Bllacës, për shkak të mungesës së një terminali në pikën kufitare Gllobocicë-Jazhincë.
Drejtoria e Doganave të Maqedonisë, për televizionin Alsat konfirmuan se ka më shumë se dy vite që kanë bërë kërkesë në Ministrinë e Financave për kalim të lirë të mallrave në këtë pikë kufitare, mirëpo Ministria e Financave deri tani nuk ka reflektuar në këtë kërkesë.
“Nga viti 2015 kemi bërë kërkesë në Ministrinë e Financave që të lejohet kalimi i lirë i mallrave, e më pas të doganohet në terminalin më të afërt, qoftë ai i Tetovës ose Ferizajt. Presim që së shpejti kjo kërkesë të kalojë në Qeveri. Është e rëndësishme për bizneset që të bëhet lejimi i lirë i kalimit të mallit jo vetëm në pikën kufitare në Glloboqicë-Jazhincë por gjithandej. Momentalisht nuk kemi kushte për hapjen e një terminali doganorë në këtë pikë kufitar”, thonë nga Drejtoria e Doganave të Maqedonisë.
Nga Ministria e Financave nuk morëm qëndrim se përse kërkesa e Drejtorisë së Doganeve po qëndron në sirtarët e tyre për dy vite. Nga OEMVP thonë se hapja e terminalit në Jazhincë nuk është paraparë në platformën për zhvillim ekonomik të Qeverisë. Drejtori ekzekutiv i kësaj Ode, Drilon Iseni tregon për rëndësinë e hapjes së një terminali në pikën kufitare Jazhincë-Gllobocicë dhe shpreson se një gjë e tillë do të jetësohet së shpejti.
“Terminali doganorë në Jazhincë është një nga pikat kryesore që e kemi në pjesën e infrastrukturës si OEMVP. Kjo pikë është përfshirë edhe në platformën për zhvillimin ekonomik të vendit ndërsa nga qeveria aktuale nuk është pranuar si pikë e tillë.
Megjithatë nga qeveritarët ka një disponim pozitiv që të bisedohet për të gjitha kërkesat tonë që kanë ngelur jashtë qeverisë. Padyshim se është një pikë shumë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të rajonit pasi që është në një distancë shumë të afërt me rajonin e Pollogut. Në rast se një biznesit i duhet 20 km për të arritur në Jazhincë, ndërsa për në Bllacë i duhet 100 km”, deklaroi Drilon Iseni, Drejtor Ekzekutiv i OEMVP-së.
Institucionet kosovare shprehin gatishmëri që ta jetësojnë idenë për pikë të re zhdoganimi. Ambasadori I Kosovës në Maqedoni Ylber Hysa, kohë më parë thekosi se pozita gjeografike mundëson vendosjen e terminalit të përbashkët në anën e Kosovës.
Para 1 viti në Shkup u takuan delegacione qeveritare të Maqedonisë dhe Kosovës, ku biseduan për hapjen e kësaj pike zhdoganimi, duke thekusra se kjo do të kishte ndikim pozitiv në ekonominë e të dy shteteve. Aso kohe, mungesa e infrastrukturës ishte konstatuar se po e pengon zhvillimin ekonomik të dy shteteve fqinje, Kosovës dhe Maqedonisë.
Sipas të dhënave zyrtare, 140 mijë kamionë përplot me mall, kalojnë çdo vit kufirin Maqedoni-Kosovë. Ndërsa sipas të dhënave nga enti statistikor i Kosovës, Maqedonia është eksportuesi i dytë më i madh nga vendet e CEFTA-s në Kosovë, ku shet mall në vlerë prej rreth 300 milionë euro në vit.