Maqedonia duhet të jetë e përkushtuar në procesin e reformave dhe përpjekjet që vijnë nga ky vend, duhet të kenë edhe vulën e opozitës. Këtë mesazh të qartë tejcoi sot Komisioneri për zgjerim dhe fqinjësi në BE, Johanes Han, në takimin me kryeministrin Zoran Zaev në Bruksel. Han, ashtu sikurse edhe kreu i Komisionit Evropian Zhan Klod Juker vlerësuan disa arritje të deritanishme nga qeveria e re, por theksuan se ka ende shumë punë deri në një rekomandim pa kushtëzim, në pranverë.
Nëse të gjitha sferat që kryeministri i përmendi do të shtjellohen në mënyrën e duhur dhe nëse miratohen ndryshimet e nevojshme ligjore deri në fund të vitit, atëherë ne mund të hymë në faqen tjetër dhe do të shohim nëse mund të ofrojmë rekomandim të pakushtëzuar për fillimin e negociatave dhe hapjen e kapitujve. Kjo do të sigurohet nëse vendi qëndron i përkushtuar në procesin e reformave dhe jam shumë optimist se kjo është e arritshme. Megjithatë është shumë e rëndësishme që të gjithë palët e interesuara të jenë prapa këtyre përpjekjeve. Prandaj është gjithashtu e rëndësishme që opozita të kthehet në Parlament – deklaroi Johanes Han .
Nga ana tjetër, kryeministri Zoran Zaev shpalosi në Bruksel planin e reformave dhe ecurinë e deritanishme të tij, madje pavarësisht mungesës së mundshme të opozitës në Kuvend, u angazhua për përmbushjen e reformave të marra përsipër.
Kjo ishte mundësi e mirë që edhe drejtpërdrejtë ta themi pritjen tonë se paketa e zgjerimit të BE-së e përfshin edhe Republikën e Maqedonisë. Vlerësojmë se kemi mjaftë argumente të mira për këto pritje tona. Sfera kyçe, janë ato që dolën si prioritetet nga grupi i ekspertëve nga Pribe, gjyqësori, UBK, administratë publike dhe trupa rregullatorë, media etj. Motivimi ynë kryesor është që të kthejmë besimin e qytetarëve në institucione – tha Zoran Zaev, Kryeministër i Maqedonisë.
Zaev foli me tone pozitive për frymën e re të bashkëpunimit të vendosur me fqinjët, Bullgarinë dhe Greqinë, ndërkohë që mirëpret vullnetin e BE-së që e ka vendosur Maqedoninë në paketën e vitit 2018.