Reformat në VMRO-DPMNE, do ishte mirë të ndodhin, ky veprim do shtonte demokracinë brenda partiake. Rejtingu i partisë është peng i trashëgimtarit të Gruevskit, por gjithsesi pasardhësi do duhet të jetë një fytyrë e pa komprometuar, duhet ta ketë mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe kryesorja të ketë dozë të ulët të nacionalizmit, thonë analistët dhe njohësit e rrethanave politike duke përkujtuar se VMRO-së i është ngushtuar mbështetja si në nivel nacional po edhe ai ndërkombëtar, raporton Almakos.
Politologu, Xhenis Sulimani mendon se do të ishte e mirëseardhur për demokracinë dhe ambientin politik që partitë të jenë sa më demokratike brenda strukturave të tyre.
“Lider i ri në VMRO-DPMNE do të sillte shpresë për politikën në Maqedoni, për faktin se në këto turbulenca politike ka nevojë edhe për një opozitë të shëndoshë”, tha Sulimani, për Almakos.
Gazetari, Agron Vrangalla, thotë se gjëja kryesore është se VMRO-DPMNE ka nevojë për t’u reformuar sepse vendi ka nevojë për një opozitë më cilësore.
“Nëse për momentin janë tre klane brenda-partiake që luftojnë për t’u ngjitur në postin e kryetarit, atëherë padyshim se grupi më i përshtatshëm do të ishte ai i Nikolla Poposkit, dhe kjo për disa arsye: Së pari, Poposki, për dallim nga Hristijan Mickovski, Antonio Milloshovski, Vllatko Gjorçev apo Ilija Dimovski të cilët përbëjnë dy grupet e tjera konkurrente, ai kurrë nuk është dëgjuar të përdorë retorikë nacionaliste në raport me shqiptarët, pavarësisht bindjeve të tij që opinioni publik nuk i njeh”, deklaroi Vrangalla.
Ai thotë se ka disa elemente që e favorizojnë Popovskin për të parin e VMRO-së duke filluar nga ajo që i njëjti është figurë e pa komprometuar dhe gëzon edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve, por nuk është favorit i kryetarit aktual, Nikolla Gruevski.
“Në këtë kuptim, VMRO-ja ka dy rrugë, ose të reformohet përnjëmend, ose të shndërrohet në një shprehje e së kaluarës, siç ka ndodhur me disa parti shqiptare në Maqedoni”, thotë Vrangalla.
Mevludin Imeri
Almakos.com