Universiteti i Tetovës e shënoi 23 vjetorin e punës dhe veprimtarisë së tij arsimore, dhe përmes aktiviteteve të shumta tregoi sukseset dhe të arriturat njëvjeçare në fushën e arsimit, shkencës dhe veprimtarisë së përgjithshme.
“Universiteti tashmë e dëshmon punën e tij të suksesshme, para qytetarëve të vendit dhe më gjerë,vjen më i përgatitur me veprimtarinë që e zhvillon, në funksion të arsimit të lartë, kërkimeve shkencore dhe përparimit të gjithanshëm.
Me rastin e këtij përvjetori, ne u shprehim mirënjohje dhe falënderime të përzemërta të gjithë atyre që kontribuuan për themelimin dhe të arriturat e derisotme të këtij Universiteti, në veçanti, u shpreh mirënjohje familjeve që hapën zemrat dhe vatrat e tyre për gjeneratat e para të këtij Universiteti. U shprehim mirënjohje dhe falënderim profesorëve të cilët dhanë gjithçka për themelimin e këtij tempulli të dijes dhe mbarëvajtjen e procesit edukativ-arsimor, sidomos profesorëve nga Universiteti i Tiranës dhe Universiteti i Prishtinës, duke mos harruar në asnjë çast edhe bashkëkombësit tanë që e ndihmuan financiarisht ngritjen këtij institucioni.
Falë mbështetjes së tyre, djersës së arsimdashësve, punës së pareshtur të qindra pedagogëve, Universiteti ynë tanimë është ngritur në një institucion të arsimit të lartë që promovon vlera arsimore dhe shkencore, të pranueshme edhe në hapësirën evropiane.
Në përvjetorin e 23-të me radhë, me vendim të Senatit të UT-së, në këtë Akademi solemne, titullin Doktor nderi i shkencave (Doctor Honoris Causa) do t’ia ndajmë filantropit dhe biznesmenit tonë të njohur, z. Lazim Destani.
Ne të gjithë së bashku, hapërojmë të sigurt drejt së ardhmes me vendosmërinë dhe vizionin e themeluesit dhe Rektorit të parë, Prof. Dr. Fadil Sulejmani, që këtë vatër të dritës dhe diturisë ta shndërrojmë në Universitet bashkëkohor, në qendër të arsimit të lartë në gjuhën shqipe”, thuhet nga zyra për informim, pranë UT-së./d.k./
Almakos.com