Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë Artan Grubi, ka filluar vizitën dyditore në Bruksel me takim në selinë qendrore të NATO- s dhe pjesëmarrje në takimin “Miqtë e Evropës”. Në NATO, thuhet në kumtesën nga Komisioni për Çështje Evropiane, Grubi është takuar me Knut Kirsten, përgjegjës i seksionit politik të NATO për Maqedoninë, si dhe me përfaqësuesit politik në NATO të SHBA, Britanisë së Madhe, Hungarisë, Rumanisë, Sllovenisë. Ai e ka theksuar domosdoshmërinë e anëtarësimit të menjëhershëm të Maqedonisë në NATO dhe gatishmërinë e autoriteteve në Shkup për t’i adresuar reformat, çështjet me fqinjët, Greqinë dhe Bullgarinë, me seriozitet dhe urgjencë. Krahas fqinjësisë së mirë, Grubi ka folur edhe për përkushtimin e Shkupit që ‘ti adresojë reformat për të garantuar sundim të ligjit dhe të drejtës në Maqedoni, barazinë gjuhësore dhe tema të tjera me interes për bashkëbiseduesit. Deputeti Grubi sot në Bruksel ka këmbyer opinione të shkurtra edhe me Hojt Ji, zëvendësndihmës sekretar i shtetit i SHBA-së.
Ai gjithashtu ka marrë pjesë në tryezën e rrumbullakët me temë: “Ballkani Perëndimor në udhëkryq: Sfida të reja, dinamikë e ndryshuar”, që po mbahet në Bruksel, me ftesë të “Miqtë e Evropës” dhe të Samitit Evropian për Politikë Evropiane, ku do të marrin pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, drejtori i Politikës Fqinjësore Evropiane dhe Zgjerim të Komisionit Evropian Kristian Daniellson, Michele Giacomelli, i dërguar i posaçëm i MPJ-së italiane për Ballkan, Tanja Fajon dhe shumë të tjerë.