Ish pjesëtari i UÇK-së, Rexhail Qerimi vazhdon ta vuaj dënimin me burgim të përjetshëm, për vrasjen, sic pretendon gjyqësia maqedonse, të një pjesëtari të njësistit special “Alfa”në vitin 2010.
Vëllai i tij, Jetulla Qerimi thotë për agjencinë e lajmeve INA se, rasti në fjalë është një montim i pastër nga autoritetet kompetente maqedonase.
Ai shpreson se me lirimin e shqiptarëve të pafajshëm në rastin ‘Monstra’ do të zgjidhen e drejtë edhe proceset tjera të shqiptarëve që u montuan nga regjimi i kalar.
“Kemi shpresë nga qeveria e re, e cila drejtohet nga kryeministri Zoran Zaev. Rexhailin e dënuan pa asnjë fakt. Dëshmia e vetme ishte një dëshmitarë i fshehur, i cili nuk e ka njohur Rexhailin në foto albumin e prezantuar nga policia. Në dëshminë e tij, ai ka deklaruar se vëllau im është pa flokë dhe pa mjekërr, ndërkohë që vëllai kishte një mjekërr të shkurtër dhe po ashtu flokë të shkurtra”, shprehet Jetullai.
Ai habitet edhe me faktin se kamerat e vendosura afër vedit të ngjarjes kanë incizuar situatën e plotë, ndërsa mungon video incizimi i pastër.
“Thuhet se ngjarja ka ndodhur në pikë të ditës, gjegjësisht në ora 11:35. Absurdi qëndron se video incizimi ka dalë i errët. Si është e mundur kjo? Kur ish ministrja e punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska pati deklaruar në Parlament se posedon materiale të incizuara nga kamerat e sigurisë, si fakte të pa mohuara Ku mbeti video materiali i pastër që vërteton se vëllai im nuk është përfshirë në këtë vepër”, shprehet ai për agjencinë e lajmeve INA.
Gjithashtu sipas tij, “në ditën e vrasjes janë gjuajtur 80 plumba, ndërsa pas ekzaminimeve në duartë e vëllaut tim nuk është hasur erë baruti dhe gjurmë tjera”.
“Montimi është i pastër. Katër orë pas vrasjes ata e morën vëllain, realizuan ADN dhe pastaj e montuan në veturën prej të cilës supozohet se është kryer vrasja. Për rastin në fjalë janë larguar pesë apo gjashtë gjykatës, për faktin se nuk kanë pranuar të jenë pjesë e këtij manipulimi, këtë e dinë të gjithë. Pastaj 5 apo 6 dëshmitar të vëllaut tim i ka pranuar Gjykata, të cilët pohojnë se prej orës 11 deri pas mesditës, Rexhali ju ka shërbier caj në lokalin e tij në fshatin Opajë të Kumanovës”, thekson Jetulla Qerimi.
Ai vazhdon rrëfimin e tij për agjencinë e lajmeve INA, duke dëshmuar se policia ka marr 20 telefona nga familjarët dhe miqt e tij, dhe nuk ka arritur ta gjej asnjë fakt të vetëm, për ta përfshirë në ngjarje.
Jetullai, gjithashtu kërkon nga Prokurorja Speciale që ti merr përgjimet në kohën kur ka ndodhur vrasja, për ta zbuluar se si ka ndodhur montimi.