Shtatë deri në dymbëdhjetë raste në ditë lajmërohen në linjën SOS për të kërkuar ndihmë nga dhuna që ushtrohet në familje.
Kryesisht gratë dhe fëmijët janë cak i dhunës fizike, por kohën e fundit ka ankesa më të shpeshta edhe gjinia mashkullore, por mbi ata më shumë ushtrohet dhunë psikike. Më tepër në gjithë këtë situatë pësojnë fëmijët, të cilët pasojat e dhunës i bartin nëpër vite, ata janë të dobët dhe nuk kanë mundësi t’i paraqesin rastet, as nuk dinë se ku të drejtohen për ndihmë, tha Tomka Dilevka – operatore e SOS-linjës telefonike.
“Më tepër lajmërohen gratë. Gjithashtu bëhet fjalë edhe për prindërit të cilët ankohen se fëmijët e tyre ushtrojnë dhunë mbi ata. Dhuna më tepër paraqitet aty ku ka familje jofunksionale, ku mashkulli apo kryefamiljari konsumon alkool dhe në këto raste ka më shumë dhunë fizike dhe psikike, të njëjtit kthehen nëpër familje dhe rrahin gratë e tyre. Në këto raste më tepër pësojnë fëmijët, të cilët traumat i shoqërojnë gjatë gjithë jetës. Kohën e fundit meshkujt lajmërohen në SOS-linjën telefonike, nëse para dy vitesh kemi pasur 5% thirrje nga meshkujt të cilët kanë qenë të maltretuar nga gratë e tyre, tani kemi 12%”,- deklaroi operatorja e SOS-linjës telefonike, Tomka Dilevska.
Dhuna nuk është prezente vetëm në familje. Shtim i dhunës vërehet edhe në shkolla. Dilevska inkurajon viktimat të kërkojnë ndihmë institucionale, sepse askush nuk mund të dënohet nëse dhuna nuk denoncohet.
“Kemi raste të ndryshme, në fund kemi pasur një rast të një burri i cili e ka rrahur gruan e tij me shufër metali, duke e mbajtur mbyllur për të mos e denoncuar tastin. Nuk janë të pakët edhe fëmijët të cilët janë lënë rrugëve, por institucionet duhet t’i marrin në dorë këto raste dhe duhet të ketë një bashkëpunim të koordinuar në mes sektorit joqeveritar dhe institucioneve që këto raste të mund të trajtohen duke u dhënë një zgjidhje përfundimtare”,- theksoi operatorja e SOS-linjës telefonike, Tomka Dilevska.