Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev ka deklaruar se fokusi i qeverisë vihet në zgjidhjen e kontestit me Greqinë, si njëndër format për zhvillimin e mëtejmë të integrimeve evropiane dhe euroatlantike të Maqedonisë, njofton Almakos.
“Kjo është çështje megjithatë aktuale edhe në Maqedoni. E logjikshme ishte që pas përfundimit të zgjedhjeve lokale të bëhet përpjekje e re për zgjidhjen e këtij problemi esencial dhe të ndjeshëm, të cilin e ka Republika e Greqisë me emrin tonë kushtetues, ndërsa i cili njëherësh është pengesë për proceset tona integruese”, ka deklaruar më herët kryeministri Zoran Zaev.
Edhepse Maqedonia është në rrugë të mbarë ajo e ka të vështirë për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë, ka deklaruar ambasadori i Francës në Shkup, Kristijan Timonie duke kërkuar angazhimin e të gjitha partive që të mobilizohen në drejtim të mbylljes së këtij problemi.
Ditë më parë gazeta greke “Kathimerini” shkruante se tani është radha që qeveria e re të lëshojë pe, pasi sipas gazetares greke, qeveria e Karamanlisit në 2007 lejoi përdorimin dy versionesh të emrit, Maqedoni dhe FYROM. Por, qëndrimi si i koalicionit qeverisë ashtu edhe opozitës në Greqi është formula “Erga Omnes”.
“Vlerësoj se Maqedonia tani është në rrugë të mirë dhe konsideroj se të gjitha partitë politike duhet të mobilizohen në drejtimin e duhur. Lidhur me çështjen e emrit të Maqedonisë, vlerësoj se vendi është në rrugën e drejtë dhe se tani ka një frymë të re që po vjen dhe se në këtë nuk mungon as ndihma e bashkësisë ndërkombëtare megjithatë na pret një rrugë më e vështirë- deklaroi ambasadori francez në Maqedoni, Kristian Timonie.
Edhe Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi në selinë e partisë në shtator të këtij viti priti në takim ambasadorin e Republikës së Greqisë në vend, Dimitris Giannakakis. Ku Thaçi potencoi se një ndër prioritetet e PDSH-së është zgjidhja e kontestit të emrit me Greqinë, që do të hapnin rrugën për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike, NATO dhe BE.
Bashkëbiseduesit u pajtuan se zgjidhja e çështjes së emrit nëpërmjet një kompromisi ka rëndësi të madhe për rajonin, fqinjësinë e mirë, sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
Ndërkaq, nga BDI lidhur me qëndrimin për çështjen e emrit, për mediat në vend kanë thënë se kjo parti është e gatshme që ta japim kontributin e saj për zgjidhjen e emrit.
“Ne si BDI sigurisht që jemi për debllokim të situatës aktuale dhe për anëtarësim sa më të shpejtë të Maqedonisë në NATO. Ne jemi pro proceseve euroatlantike, pasi që edhe NATO është pjesë e procesit euroatlantik. Ne jemi të gatshëm që ta japim kontributin tonë, në drejtim të anëtarësimit sa më të shpejt të Maqedonisë në NATO por edhe në strukturat evropiane”, thuhet nga BDI.
Gjithashtu nga Aleanca për Shqiptarët (ASH) kanë thënë, se do ta përkrahnin konceptin e konsensusit apo referendumit për zgjidhjen e çështjes së emrit.
“Gjithsesi që jemi të interesuar që në çfarëdo mënyre e cila do të çonte rreth zgjidhjes së çështjes së emrit dhe të shpejtohet procesi i integrimeve euroatlantike, do të thotë do ta përkrahim pa asnjë problem. Normal nëse vendoset të vihet në shprehje në bazë të një koncepti të konsensusit apo referendumit, normal që do ta përkrahim, ajo është objektivi ynë, për të kontribuar në këtë aspekt”, thuhet nga ASH.
Ndërkaq nga Lëvizja Besa, konform ridefinimit, kjo parti do që emri i shtetit të jetë mbietnik dhe të mos ketë lidhje specifike me asnjë etni në Maqedoni.
“Ne kemi thënë se, konform ridefinimit, do të donim që emri i shtetit të jetë mbietnik dhe të mos ketë lidhje specifike me asnjë etni në Maqedoni. Me fjalë të tjera, në këtë mënyrë do të vihej në praktikë edhe modeli aq shumë i promovuar qytetar”, thuhet nga Lëvizja BESA.
Zaevi nuk ka lënë pa theksuar se përpiqen të ndërtojmë konsensus kombëtar, të gjithë, presidenti i shtetit, Qeveria, opozita, por në funksion të gjetjes së zgjidhjes së çështjes së emrit dhe jo në anulimin e tij.
D.K
Almakos.com